Irani: Marrëveshja me SHBA-në nuk pritet të nënshkruhet nesër, por negociatat vazhdojnë
Irani ka zbutur pritshmëritë për një marrëveshje të afërt me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se një dokument kornizë mes dy vendeve nuk pritet të nënshkruhet gjatë ditës së nesërme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje në ditët në vijim mbetet e hapur, por theksoi se Teherani po tregohet i kujdesshëm për shkak të asaj që e cilësoi si mungesë stabiliteti në qëndrimet e palës amerikane.
“Mundësia që kjo të ndodhë në ditët në vijim nuk përjashtohet. Megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë së palës tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo deklarate në lidhje me këtë proces”, deklaroi Baghaei, sipas agjencisë iraniane Tasnim.
Ai sqaroi se dokumenti që po diskutohet nuk përfaqëson një marrëveshje përfundimtare, por një memorandum mirëkuptimi që përcakton pikat kryesore të mosmarrëveshjeve dhe kushtet bazë për përfundimin e konfliktit mes palëve.
Deklaratat e Teheranit vijnë pasi kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, njoftoi se kushtet e marrëveshjes mund të finalizohen brenda 24 orëve. Mesazhi i tij në rrjetet sociale u shpërnda më pas edhe nga presidenti amerikan Donald Trump në platformën Truth Social.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit bëri të ditur se ceremonia e nënshkrimit elektronik të dokumentit është planifikuar për nesër, ndërsa ministri i Jashtëm Mohammad Ishaq Dar ka zhvilluar konsultime me homologët rajonalë, përfshirë Arabinë Saudite.
Edhe burime pranë procesit negociues i thanë CNN se nënshkrimi elektronik i marrëveshjes mund të realizohet deri në fund të ditës së nesërme ose edhe më herët.
Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi raportimet dhe afatet e përfolura për finalizimin e dokumentit.







