×
Friday, June 12, 2026

Rama nga 35-vjetori i PS: Mbrojtja e natyrës ka qenë misioni ynë, Shqipëria sot ka rrjetin më të zhvilluar të zonave të mbrojtura në rajon

June 12, 2026


Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, vuri theksin te politikat mjedisore të ndërmarra ndër vite, duke deklaruar se qeveritë socialiste kanë qenë promotorët kryesorë të mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit në Shqipëri.

Duke iu referuar protestave të fundit kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan, Rama tha se kupton shqetësimet e qytetarëve që janë të ndjeshëm ndaj çështjeve mjedisore, pasi sipas tij edhe vetë ndan të njëjtat vlera për mbrojtjen e natyrës.

“Ma ka mësuar kjo punë që të futem në këpucët e tjetrit. Edhe unë mendoj njësoj për brishtësinë e mjedisit përballë vendimeve të njerëzve me pushtet”, u shpreh ai.

Kryeministri kujtoi transformimin e Tiranës gjatë kohës kur drejtoi Bashkinë e kryeqytetit, duke theksuar se në atë periudhë u mbollën dhjetëra mijëra pemë dhe u liruan hapësira publike nga ndërtimet e paligjshme.

“Dola nga zyra e kryetarit duke lënë pas 55 mijë pemë dhe shkurre dekorative të mbjella, edhe me sherr, sepse duhej të shembeshin kioska, ndërtime pa leje dhe gërmadha që kishin zaptuar hapësirat publike”, tha Rama.

Ai renditi gjithashtu disa nga vendimet që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit, si ndalimi i importit të mbetjeve, moratoriumi i pyjeve dhe ai i gjuetisë.

“Kemi ndaluar masakrat që bëheshin ndaj faunës së egër. Kryem regjistrimin në kadastër të 1.3 milionë hektarëve pyje dhe mundësuam shumëfishimin e popullsisë së kafshëve dhe shpendëve”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se Shqipëria ka sot një nga rrjetet më të zhvilluara të zonave të mbrojtura në Ballkanin Perëndimor, ndërsa një e katërta e territorit të vendit gëzon status mbrojtjeje.

“Ligjin e parë modern për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e Partisë Socialiste. Sot, Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes së natyrës në rajon dhe kjo vlerësohet nga organizatat ndërkombëtare”, tha ai.

Kryeministri kujtoi gjithashtu ndërhyrjet për mbrojtjen e lumenjve, duke theksuar se janë ndaluar apo anuluar dhjetëra projekte hidrocentralesh.

“Kemi ndaluar ndërtimin e nëntë hidrocentraleve dhe kemi anuluar 40 kontrata të tjera. Vjosën jo vetëm e shpëtuam, por vazhdojmë ta mbrojmë si një pasuri kombëtare”, u shpreh Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se misioni i Partisë Socialiste mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë si një angazhim historik dhe kombëtar.

“Për mua, Shqipëria është një amanet i shenjtë në mendjen dhe zemrën time”, përfundoi Rama.




Comments are closed.