Rama nga 35-vjetori i PS: Në protestë ka pasur edhe njerëz nga Kosova e Tetova, gurët hidhen dhe dora fshihet
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, komentoi protestat e zhvilluara në Tiranë kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan, duke akuzuar forca të ndryshme politike dhe individë nga jashtë Shqipërisë për përfshirje në to.
Rama deklaroi se, sipas tij, në protestë kanë marrë pjesë edhe persona nga Kosova dhe Tetova, duke shtuar se veprimet e tyre ngjajnë me ato që ai ia atribuon opozitës.
“Asgjë normale nuk ka në faktin se, megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe shqetësimi i tyre është që të mos dëmtohet sezoni turistik nga anulimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshme hidhen në bulevard, gurë deri edhe nga Kosova dhe Tetova, dhe fshehin dorën”, u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu opozitën dhe partitë e reja politike, duke i akuzuar se po përpiqen të përfitojnë politikisht nga protesta.
“Sikurse opozita që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet, edhe partitë e reja, që mbeten të vogla por janë bërë të vjetra, kërkojnë të marrin pjesën e tyre në këtë histori”, tha ai.
Megjithatë, Rama bëri një dallim për të rinjtë pjesëmarrës në protestë, për të cilët tha se ka simpati dhe se është i gatshëm të dialogojë me ta.
“Për të rinjtë që mendojnë se po bëjnë revolucion kam simpati dhe mund të flas me ta nëse duan të flasin. Fundja, një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë për Tiranën, kanë pastruar zhulin e shoqatës së motovarëve që e kishte kthyer bulevardin në një vend ndyrësie”, deklaroi kryeministri.
Komentet e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projekteve të planifikuara në Zvërnec dhe Sazan vijojnë të mbledhin qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës në kryeqytet.







