Forcat izraelite kanë avancuar më tej në jug të Libanit, ndërsa sulmet ajrore dhe operacionet tokësore vazhdojnë në disa zona të vendit, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të konfliktit me grupin Hezbollah.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, gjatë ditës janë regjistruar dhjetëra sulme izraelite në jug dhe lindje të Libanit. Raportimet paraprake flasin për të paktën 13 viktima.
Në qytetin bregdetar të Sidonit, një sulm me dron ndaj një automjeti la të vdekur dy persona, ndërsa bombardimet kanë vijuar edhe në zona të tjera të vendit.
Luftimet janë përqendruar edhe rreth Kalasë së Beaufortit, një pozicion strategjik që, sipas raportimeve, është marrë nën kontroll nga ushtria izraelite rreth një javë më parë. Mediat libaneze raportojnë se helikopterët sulmues izraelitë kanë goditur luftëtarë të Hezbollahut në afërsi të fortesës.
Nga ana tjetër, Hezbollahu njoftoi se ka kryer disa sulme ndaj pozicioneve izraelite në jug të Libanit, duke vijuar shkëmbimet e zjarrit mes palëve.
Burime të sigurisë në Liban bëjnë të ditur se trupat izraelite kanë avancuar deri pranë qytetit të Nabatiyehut, një nga qendrat kryesore ekonomike të jugut të vendit. Sipas tyre, forcat izraelite ndodhen vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit dhe po përgatiten për operacione të mëtejshme në zonë.
Përshkallëzimi i luftimeve vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, mes përplasjeve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.