×
Wednesday, June 10, 2026

Lituania investon 1 miliard euro për modernizimin e ushtrisë, blen automjete ushtarake “Mercedes-Benz”

June 10, 2026


Lituania ka njoftuar një investim prej rreth 1 miliard eurosh për modernizimin e forcave të saj të armatosura, përmes blerjes së automjeteve ushtarake nga prodhuesi gjerman “Mercedes-Benz”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, marrëveshja është nënshkruar me përfaqësuesin lokal të kompanisë dhe parashikon furnizimin e ushtrisë lituaneze me automjete të tipit “G-Class”, si dhe kamionë ushtarakë të modeleve “Mercedes-Benz Zetros”, “Mercedes-Benz Arocs” dhe “Mercedes-Benz Unimog”.

Dorëzimi i mjeteve do të realizohet në faza, nga viti 2026 deri në vitin 2032. Autoritetet e cilësojnë projektin si një nga investimet më të mëdha të kryera ndonjëherë në logjistikën e ushtrisë lituaneze.

Automjetet e reja do të përdoren për transportin e personelit ushtarak, armëve, municioneve dhe furnizimeve, duke rritur kapacitetet operacionale dhe gatishmërinë e forcave të armatosura.

Një pjesë e financimit do të sigurohet përmes programit evropian SAFE, i cili mbështet investimet në mbrojtje dhe siguri, në kuadër të përpjekjeve të vendeve evropiane për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake.

Lituania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndan kufij me enklavën ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusinë. Për këtë arsye, Vilniusi e konsideron situatën e sigurisë në rajon dhe luftën në Ukrainë si sfida të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.

Marrëveshja me “Mercedes-Benz” është pjesë e strategjisë së qeverisë lituaneze për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe forcimin e mbrojtjes në krahun lindor të NATO-s.




Comments are closed.