Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike në Lindjen e Mesme, duke theksuar se dialogu mbetet e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Costa njoftoi se zhvilloi një bisedë telefonike me Princin e Kurorës së Kuvajtit, Sabah Khalid al-Hamad al-Sabah, gjatë së cilës përcolli solidaritetin e Bashkimit Europian në një periudhë tensionesh të larta.
“Diplomacia është e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, u shpreh Costa, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të qëndrojnë të angazhuara në procesin diplomatik.
Kreu i Këshillit Europian vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet mes BE-së dhe Kuvajtit, duke kujtuar se këtë vit shënohet 40-vjetori i bashkëpunimit mes palëve dhe duke shprehur dëshirën për forcimin e mëtejshëm të partneritetit.
Deklarata e Costës vjen në një moment përshkallëzimi të situatës në rajon, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit ndaj bazave amerikane.
Ndërkohë, autoritetet kuvajtiane njoftuan më herët se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit u aktivizuan si masë paraprake pas sulmeve që prekën rajonin, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit.