×
Wednesday, June 10, 2026

Netanyahu sulmon Erdoganin: Është i fundit që mund t’i japë leksione morale Izraelit

June 10, 2026


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke e akuzuar atë për shtypjen e kundërshtarëve politikë, mbështetjen e Hamasit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në një deklaratë publike, Netanyahu e cilësoi Erdoganin si “personin e fundit që mund t’i japë mësime morale Shtetit të Izraelit”, duke e akuzuar gjithashtu për veprime kundër popullsisë kurde dhe për represion të brendshëm politik.

“Diktatori antisemit Erdogan, i cili po kryen gjenocid kundër kurdëve, mbështet organizatën terroriste Hamas, shtyp popullin e tij dhe burgos kundërshtarët politikë, është personi i fundit që mund t’i japë mësime morale Shtetit të Izraelit”, deklaroi kryeministri izraelit.

Netanyahu theksoi se Izraeli do të vijojë operacionet kundër Iranit dhe aleatëve të tij në rajon, duke i konsideruar ata si kërcënim për sigurinë e Lindjes së Mesme.

“Shteti i Izraelit dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ushtria më morale në botë, do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri kundër Iranit dhe aleatëve të tij, të cilët kërcënojnë Lindjen e Mesme dhe të gjithë botën”, u shpreh Netanyahu.

Deklaratat vijnë në një klimë tensionesh të larta rajonale dhe pas përplasjes së vazhdueshme verbale mes Ankarasë dhe Tel Avivit lidhur me konfliktin në Gaza dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.




Comments are closed.