Papa Leoni: Lufta dhe riarmatimi janë dështim, paqja ndërtohet me drejtësi dhe dialog
Papa Leoni ka deklaruar se lufta dhe riarmatimi përfaqësojnë një dështim të shoqërive moderne, duke theksuar se paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por vetëm përmes drejtësisë, dialogut dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.
Gjatë një fjalimi në Parlamentin e Spanjë në Madrid, Papa Leoni u bë papa i parë në histori që i drejtohet këtij institucioni.
Sipas Vatican News, kreu i Kishës Katolike e përqendroi mesazhin e tij te mbrojtja e jetës njerëzore dhe e dinjitetit të çdo personi.
“Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që nga ngjizja deri në fundin e saj natyror, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj”, deklaroi ai.
Papa theksoi se mbrojtja e jetës nuk duhet parë si një çështje private apo vetëm fetare, por si një përgjegjësi themelore e qytetërimit.
“Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është as çështje interesi privat dhe as shqetësim fetar, por një objektiv i qytetërimit”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se shoqëritë rrezikojnë të humbasin bazën e tyre morale nëse nuk mbrojnë më të pambrojturit.
Duke folur për sfidat globale, Papa Leoni ndaloi edhe te fenomeni i migracionit, të cilin e cilësoi si një nga dramat më të mëdha të kohës sonë.
Sipas tij, situata e migrantëve dhe refugjatëve sfidon ndërgjegjen e kombeve dhe kërkon politika që vendosin njeriun në qendër të vendimmarrjes.
Ai bëri thirrje për krijimin e rrugëve të sigurta dhe ligjore për migrantët, për pritje me dinjitet dhe për mundësi reale integrimi, duke nënvizuar se njerëzit nuk duhet të detyrohen të largohen nga vendet e tyre për shkak të konflikteve, varfërisë, pasigurisë apo pasojave të ndryshimeve klimatike.
Në përfundim të fjalës së tij, Papa Leoni përsëriti mesazhin se paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi forcën e armëve, por mbi dialogun, solidaritetin dhe respektin për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.







