Idris Elba nderohet me titullin “Kalorës” nga Mbreti Charles III
Aktori britanik Idris Elba është nderuar me titullin “Kalorës” nga Mbreti Charles III gjatë një ceremonie të zhvilluar në Kështjellën Windsor, në kuadër të Dekoratave të Vitit të Ri, për kontributin e tij në mbështetje të të rinjve dhe komuniteteve.
Elba, 53 vjeç, i njohur për rolet në serialet e suksesshme “The Wire” dhe “Luther”, u vlerësua për angazhimin e tij afatgjatë në projekte sociale dhe iniciativa që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Aktori ka qenë një zë i fortë në mbështetje të arsimit dhe mundësive për brezin e ri, ndërsa në vitin 2022 themeloi fondacionin “Elba Hope Foundation”, i cili fokusohet në zhvillimin e komuniteteve, edukimin, mbrojtjen e të rinjve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Vetë Elba ka treguar se karriera e tij u ndihmua nga një grant i organizatës bamirëse “Prince’s Trust” (sot “King’s Trust”), të cilin e përfitoi në moshën 18-vjeçare për të ndjekur kurse aktrimi në Teatrin Kombëtar Muzikor për të Rinj.
Së fundmi është bërë e ditur se aktori do të bashkëpunojë me Mbretin Charles III në një dokumentar kushtuar 50-vjetorit të organizatës bamirëse “King’s Trust”, i cili pritet të transmetohet në Netflix këtë vjeshtë.
Gjatë së njëjtës ceremoni u nderuan edhe legjendat e patinazhit artistik, Jayne Torvill dhe Christopher Dean, me titujt “Damë” dhe “Kalorës” për kontributin e tyre në sport dhe veprimtarinë vullnetare.
Ndërkohë, aktorja dhe komediania Meera Syal u vlerësua për kontributin në letërsi, teatër dhe bamirësi, ndërsa komediani Paul Elliott, i njohur nga “Chuckle Brothers”, mori titullin MBE për shërbimet e tij bamirëse.







