Hoxha në Bruksel: Ruajtja e ritmit të negociatave, prioritet për Shqipërinë dhe BE-në
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Bruksel një seri takimesh me deputetë të Parlamentit Evropian dhe me raportuesin për Shqipërinë, Andreas Schieder, ku në fokus ishte ecuria e procesit të integrimit europian të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin si një mundësi të rëndësishme për shkëmbim pikëpamjesh mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe avancimin e negociatave të Shqipërisë.
“Gjithmonë një mundësi e çmuar për t’u takuar dhe për të shkëmbyer pikëpamje me anëtarët e Parlamentit Evropian mbi çështjet që lidhen me zgjerimin e BE-së dhe dinamikën më të gjerë që formëson axhendën politike të Evropës”, shkroi Hoxha.
Ai vlerësoi veçanërisht takimin me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, duke e falënderuar për punën në hartimin e raportit për Shqipërinë, i miratuar muajin e kaluar në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
“E falënderova raportuesin Schieder për punën e tij të shkëlqyer në udhëheqjen e procesit mbi raportin për Shqipërinë”, theksoi ministri.
Gjatë vizitës, Hoxha u takua edhe me eurodeputetët me origjinë shqiptare, Arba Kokalari dhe Adnan Dibrani, të cilët i cilësoi si shembuj frymëzues të integrimit dhe angazhimit qytetar në shoqëritë evropiane.
“Isha veçanërisht i kënaqur të takohesha me deputetët suedezë Arba Kokalari dhe Adnan Dibrani, të dy me prejardhje shqiptare dhe shembuj frymëzues të integrimit të suksesshëm, angazhimit qytetar dhe shërbimit publik në shoqëritë evropiane të hapura, demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh ai.
Sipas Hoxhës, diskutimet u fokusuan në fazën aktuale të negociatave të Shqipërisë me BE-në, prioritetet e procesit dhe nevojën për të ruajtur ritmin aktual të zgjerimit.
“Diskutimi ynë u përqendrua në fazën aktuale të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, prioritetet dhe punën përpara me negociatat në vazhdim, si dhe objektivin e përbashkët të ruajtjes së momentumit aktual të zgjerimit”, shkroi ministri.
Ai theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Parlamentit Evropian në mbështetjen e një procesi zgjerimi të bazuar në meritë dhe në forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Në një kohë kur Bashkimi Evropian po e njeh gjithnjë e më shumë rëndësinë strategjike të zgjerimit, angazhimi i vazhdueshëm me Parlamentin Evropian mbetet thelbësor për forcimin e mbështetjes politike dhe ndërtimin e një konsensusi më të gjerë”, përfundoi Hoxha.







