×
Tuesday, June 2, 2026

Begaj-Costa: Shqipëria e vendosur për mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027

June 2, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim ku u diskutua ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në, përfshirë zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.

Presidenti Begaj theksoi vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të përmbushur objektivat e përcaktuara në procesin e integrimit dhe për të mbyllur grupkapitujt e negociatave deri në vitin 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Begaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë strategjike të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon.

“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Presidenti.

Ai falënderoi Presidentin Costa për angazhimin dhe mbështetjen ndaj procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të vijuar reformat dhe për të përmbushur standardet evropiane.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin vendit tonë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, tha Begaj.




Comments are closed.