×
Monday, June 1, 2026

Netanyahu urdhëron sulme të reja në Bejrut

June 1, 2026


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar sulme ndaj periferive jugore të Bejrutit, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut vijojnë të përshkallëzohen pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimeve të BBC, Netanyahu deklaroi se objektiv i operacionit janë “objektivat terroriste” në zonën e Dahieh, e konsideruar si bastion i Hezbollahut. Sipas tij, sulmet vijnë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve kundër civilëve izraelitë dhe shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit të shpallur në muajin prill.

Ndërkohë, autoritetet libaneze po mbështeten te ndërmjetësimi amerikan për të frenuar përshkallëzimin e konfliktit. Një zyrtar i lartë i qeverisë së Libanit tha se Bejruti pret që Uashingtoni të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndalur operacionet ushtarake dhe për të shmangur viktima të tjera civile.

Në kuadër të përpjekjeve diplomatike, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin libanez Joseph Aoun.

Sipas një zyrtari amerikan, Rubio ka propozuar që autoritetet libaneze të shtojnë presionin ndaj Hezbollahut për të ndalur sulmet kundër Izraelit, ndërsa në këmbim Izraeli të shmangë zgjerimin e operacioneve ushtarake në Bejrut. Sipas të njëjtit burim, kjo qasje mund të krijojë kushtet për një ulje graduale të tensioneve dhe një armëpushim më efektiv.

Zhvillimet vijnë pasi forcat izraelite kanë zgjeruar operacionet në jug të Libanit, duke kaluar lumin Litani dhe duke marrë kontrollin e Kalasë së Beaufort-it, një fortesë historike me rëndësi strategjike.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se operacioni nuk ka përfunduar dhe se Izraeli mbetet i vendosur të godasë kapacitetet ushtarake të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, kryeministri libanez Nawaf Salam akuzoi Izraelin për ndjekjen e një politike të “shkatërrimit të gjerë dhe ndëshkimit kolektiv”, duke kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare për ndalimin e luftimeve.

Sipas autoriteteve libaneze, që nga fillimi i konfliktit janë vrarë të paktën 3.371 persona në Liban, ndërsa Izraeli ka raportuar 24 ushtarë dhe katër civilë të vrarë gjatë të njëjtës periudhë.




Comments are closed.