×
Monday, June 1, 2026

Policia i heq licencën dy kompanive të sigurisë pas incidenteve në protestën e Zvërnecit

June 1, 2026


Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën dy subjekteve private të sigurisë, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së 30 majit në Portonovë të Zvërnecit.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike konstatuan shkelje të rënda nga të dy kompanitë, të cilat ishin kontraktuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në zonë.

Policia bëri të ditur se “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për kontrollin e hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave dhe mjeteve të autorizuara. Si pasojë, më 30 maj në ambientet e rrethuara hynë persona të paidentifikuar, të cilët gjatë protestës ushtruan dhunë ndaj një qytetari dhe reaguan me gurë e sende të tjera ndaj protestuesve.

Sipas Policisë, punonjësit e kompanisë nuk ndërmorën asnjë veprim për të parandaluar apo ndaluar këto veprime.

Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, autoritetet konstatuan se një punonjës i licencuar i kompanisë, së bashku me dy persona të tjerë të palicencuar, kryen veprime arbitrare ndaj një protestuesi, duke e goditur dhe tërhequr me forcë brenda rrethimit të pronës.

Pas përfundimit të hetimeve administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi heqjen e licencave për të dy kompanitë, bazuar në dispozitat e ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.

Policia theksoi se hetimet penale dhe administrative lidhur me ngjarjen vijojnë ende.




Comments are closed.