×
Monday, June 1, 2026

Macron: Franca ndalon një tjetër cisternë ruse që shmangte sanksionet

June 1, 2026


Marina Franceze ka ndaluar një tjetër anije cisternë ruse gjatë një operacioni në Oqeanin Atlantik, në kuadër të përpjekjeve për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, i cili përmes një reagimi publik theksoi se shmangia e sanksioneve dhe financimi i luftës në Ukrainë nuk mund të tolerohen.

“Është e papranueshme që anijet po shmangin sanksionet ndërkombëtare, duke shkelur ligjin detar dhe duke financuar luftën që Rusia ka zhvilluar kundër Ukrainës për më shumë se katër vjet”, deklaroi Macron.

Operacioni u realizua me mbështetjen e disa partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autoritetet franceze publikuan edhe pamje nga ndërhyrja në det të hapur.

Sipas Parisit zyrtar, kjo është anija e katërt cisternë ruse e ndaluar nga Franca në kuadër të operacioneve që synojnë parandalimin e shmangies së sanksioneve të vendosura ndaj Moskës pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Autoritetet franceze theksojnë se kontrollet do të vijojnë, me qëllim goditjen e rrjeteve që përdoren për transportin e naftës ruse jashtë mekanizmave ndërkombëtarë të monitorimit dhe sanksioneve.




Comments are closed.