BBC Verify: Sulmet iraniane kanë dëmtuar të paktën 20 objekte ushtarake amerikane
Irani ka shkaktuar dëme në të paktën 20 objekte ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme që nga nisja e konfliktit, sipas një analize të publikuar nga BBC Verify, e bazuar në imazhe satelitore dhe materiale video të verifikuara.
Sipas raportit, sulmet iraniane kanë goditur baza dhe instalime ushtarake amerikane në tetë vende të rajonit, mes tyre Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Jordania dhe Bahreini.
Analiza thekson se mes objekteve të dëmtuara ndodhen sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë furnizimi me karburant, radarë dhe pajisje komunikimi ushtarake. Gjithashtu raportohet se janë dëmtuar ose shkatërruar dhjetëra mjete ajrore amerikane, përfshirë avionë luftarakë dhe dronë.
Sipas ekspertëve të cituar nga BBC Verify, shkalla e dëmeve sugjeron se kundërpërgjigjja iraniane ka qenë më e saktë dhe më efektive sesa është pranuar publikisht deri më tani nga autoritetet amerikane.
Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se bazat amerikane në rajon nuk janë më të sigurta dhe se ndikimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme po dobësohet.
Analistët paralajmërojnë se një dështim i armëpushimit të brishtë mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të çojë në sulme të reja ndaj bazave amerikane në Gjirin Persik, ndërsa sistemet mbrojtëse ajrore të SHBA-së në rajon janë vënë nën presion gjatë muajve të fundit.







