×
Saturday, May 30, 2026

Media gjermane: SHBA mund të përshpejtojë tërheqjen e trupave nga Europa

May 30, 2026


Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e përshpejtimit të tërheqjes së forcave të tyre ushtarake nga bazat në Europë dhe pritet t’ua paraqesin planet aleatëve të NATO-s gjatë muajit të ardhshëm, raportoi gazeta gjermane Welt am Sonntag, duke cituar burime nga Pentagoni.

Sipas raportimit, Uashingtoni po përgatit propozime konkrete që do të diskutohen në samitin e ardhshëm të NATO-s, megjithëse ende nuk janë bërë publike detaje mbi numrin e trupave që do të largohen apo bazat që mund të preken nga ky proces.

Në muajin maj, administrata amerikane njoftoi planin për tërheqjen e rreth 5 mijë ushtarëve nga Gjermania, vend që aktualisht strehon afro 35 mijë trupa amerikane, më shumë se çdo shtet tjetër europian.

Sipas Pentagoni, procesi i tërheqjes pritet të përfundojë brenda një periudhe prej gjashtë deri në dymbëdhjetë muajsh.

Lëvizja shihet nga analistët si pjesë e rishikimit të pranisë ushtarake amerikane jashtë vendit dhe vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes administratës së presidentit Donald Trump dhe disa aleatëve europianë janë përballur me mosmarrëveshje mbi çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.

Nëse plani zbatohet sipas afateve të reja, ai mund të përfaqësojë një nga reduktimet më të rëndësishme të pranisë ushtarake amerikane në Europë në vitet e fundit, ndërsa aleatët e NATO-s po përballen me sfida të reja sigurie në kontinent.




Comments are closed.