Predha nga Libani godasin veriun e Izraelit, njëra bie në Kiryat Shmona
Ushtria izraelite njoftoi se disa predha janë lëshuar nga territori i Libanit drejt veriut të Izraelit gjatë orëve të mbrëmjes, në një incident që vjen mes tensioneve të vazhdueshme përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Sipas Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), shumica e predhave u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa njëra arriti të godasë zonën e Kiryat Shmona.
“U zbuluan disa predha të qëlluara nga Libani drejt territorit izraelit. Shumica u kapën dhe një goditje u raportua në zonën Kiryat Shmona. Nuk u raportuan të lënduar”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Autoritetet izraelite nuk kanë bërë ende të ditur nëse sulmi ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë vlerësimin e situatës në terren.
Ngjarja shton shqetësimet për një përshkallëzim të ri të tensioneve në kufirin verior të Izraelit, ku muajt e fundit janë regjistruar incidente të shumta me raketa, predha dhe shkëmbime zjarri mes forcave izraelite dhe grupeve të armatosura që veprojnë në Libanin jugor.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet libaneze apo nga grupi Hezbollah lidhur me sulmin e raportuar nga ushtria izraelite.
Situata në zonën kufitare mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet izraelite kanë rritur gatishmërinë e forcave të sigurisë përballë rrezikut të sulmeve të reja.







