×
Friday, May 29, 2026

Korça po kthehet në qendër të re të inovacionit bujqësor me “Fermën e dijes dhe agroturizmit të mollëve”

May 28, 2026


Në Qatrom të Korçës po zhvillohet një nga investimet më të mëdha në fushën e bujqësisë moderne dhe agroturizmit, projekti “Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve”, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 37 hektarësh dhe synon të lidhë prodhimin bujqësor me kërkimin shkencor, edukimin dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Projekti është konceptuar si pjesë e një modeli të integruar zhvillimi që bashkon bujqësinë me teknologjinë dhe turizmin, duke krijuar një hapësirë multifunksionale që pritet të shërbejë si pikë referimi për fermerët, studentët dhe aktorët e industrisë agro-ushqimore.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit,, theksoi se ferma është konceptuar jo vetëm si një njësi prodhuese, por edhe si qendër kërkimi dhe inovacioni e lidhur ngushtë me universitetet dhe me projektin më të gjerë të zhvillimit të dijes në rajon.

Sipas tij, në zonë janë përfunduar sistemet bazë të mbjelljes, rrjetat mbrojtëse dhe sistemet moderne të vaditjes me pikëzim, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohet ndërtimi i hapësirave për përpunim, laboratorëve dhe qendrave edukative që do të përdoren për kërkime shkencore dhe trajnime profesionale.

Ferma është ndërtuar mbi parimin e “smart farming”, duke përdorur teknologji të avancuar për monitorimin dhe menaxhimin e prodhimit bujqësor. E gjithë sipërfaqja është e pajisur me sisteme inteligjente vaditjeje, rrjeta antibreshër dhe mekanizma kontrolli në kohë reale, të cilët synojnë të rrisin eficiencën e prodhimit dhe të ulin ndikimin e kushteve klimatike.

Në fazën e dytë të projektit parashikohet vendosja e stacioneve meteorologjike, sensorëve inteligjentë në tokë dhe sistemeve të bazuara në inteligjencë artificiale, të cilat do të mundësojnë analizën e të dhënave klimatike dhe të tokës për të ndihmuar fermerët në vendimmarrje më efikase.

Fermerët e përfshirë në projekt bëjnë të ditur se varietetet e zgjedhura për kultivim janë të orientuara drejt tregjeve të Bashkimit Europian, ndërsa një pjesë e tyre janë rezistente ndaj sëmundjeve, duke krijuar mundësi për prodhim më të qëndrueshëm dhe me potencial për produkte organike.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është integrimi i kërkimit shkencor me praktikën bujqësore. Parashikohet ngritja e laboratorëve dhe hapësirave edukative ku studentët dhe specialistët do të kenë mundësi të zhvillojnë eksperimente në kushte reale prodhimi.

Përveç funksionit bujqësor dhe akademik, ferma do të shërbejë edhe si destinacion agroturistik, me hapësira për vizitorë dhe aktivitete, duke krijuar një model të ri zhvillimi ekonomik ku bujqësia, teknologjia dhe turizmi ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme.

Në kuadër të investimit po ndërtohet gjithashtu një kapanon prej rreth 2400 m² për përpunimin dhe klasifikimin e prodhimit, me synimin për të krijuar një zinxhir të plotë prodhimi dhe përpunimi me vlerë të shtuar.

Sipas projektit, ky model synon të nxisë edhe bashkëpunimin mes fermerëve përmes formave të organizimit të përbashkët, duke rritur efikasitetin dhe konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

“Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve” shihet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë shqiptare, duke e afruar atë me standardet europiane dhe duke krijuar një model të ri zhvillimi të bazuar në teknologji, inovacion dhe dije.




Comments are closed.