Qeveria synon mbylljen e 10 kapitujve me BE brenda vitit, Koçiu: Procesi i negociatave në fazë të avancuar
Qeveria shqiptare synon të nisë mbylljen e 10 kapitujve negociues me Bashkimin Evropian brenda këtij viti. Deklarata u bë nga zëvendëskryeministrja, pas mbledhjes së qeverisë.
“Ambicia jonë është që brenda këtij viti të nisim mbylljen e 10 kapitujve. Është proces dinamik, por do të më lejoni që të mos i them kapitujt, pasi do të ulemi në tryezë me palën europiane për të finalizuar detyrat”, tha Koçiu.
Ajo bëri të ditur se gjatë mbledhjes së qeverisë janë miratuar dy vendime që lidhen drejtpërdrejt me ecurinë e procesit të negociatave.
“Puna e institucioneve shqiptare është e pakthyeshme dhe e konsoliduar, kanë arritur pjekurinë për të ndërmarrë reformat dhe angazhimet që kërkohen nga Shqipëria”, u shpreh ajo.
Sipas Koçiut, vendimi i parë ka të bëjë me miratimin e udhërrëfyesit kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030.
“Qeveria miratoi udhërrëfyesin kombëtar për arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm deri në vitin 2030. Një dokument strategjik që përmban 66 kritere të matshme që do të orientojnë punën e institucioneve publike”, deklaroi ajo.
Vendimi i dytë lidhet me krijimin e një partneriteti strategjik mes institucioneve shqiptare dhe agjencive të OKB-së.
“Vendimi i dytë është ai i partneritetit strategjik mes institucioneve dhe qeverisë shqiptare me agjencitë e OKB, një dokument që bazohet në tre shtylla, zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor, transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër dhe mirëqeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut”, shtoi Koçiu.
Zëvendëskryeministrja theksoi se këto vendime synojnë të mbështesin përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe të përforcojnë angazhimin institucional për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat me Bashkimin Evropian.







