Korporata Atlas zgjeron aktivitetin: blen Edil Centro dhe forcon pozitat në industrinë e ndërtimit
Korporata Atlas ka finalizuar në fillim të këtij viti blerjen e Edil Centro, një kompani e njohur në prodhimin e tullave dhe tjegullave, me aktivitet në zonën e Laprakës dhe me një sipërfaqe prej rreth 80 mijë metrash katrorë.
Ky investim shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin e aktivitetit të Korporatës Atlas, e cila prej vitesh operon në disa nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Përmes kësaj blerjeje, grupi rrit më tej praninë në industrinë e ndërtimit dhe prodhimit, duke integruar një kompani me eksperiencë të konsoliduar në treg.
Aktualisht, Korporata Atlas është e pranishme në disa fusha strategjike. Në industrinë ushqimore përfaqësohet nga markat Atlas Mills dhe Ola Foods, ku kjo e fundit ka shënuar sukses me prezantimin e produkteve në TuttoFood Milano 2026. Në sektorin e bujqësisë operon përmes Besniku Shpk, ndërsa në energji përfaqësohet nga Atlas Energy, me investime në hidrocentrale dhe energji diellore. Paralelisht, aktiviteti në zhvillim urban dhe ndërtim zhvillohet përmes Atlas Development.
Blerja e Edil Centro vjen si pjesë e një strategjie afatgjatë të Korporatës Atlas për të investuar në sektorë me potencial të lartë dhe për të konsoliduar më tej pozicionin në industrinë e ndërtimit.
Zv. Presidenti i Atlas Corporation, Aurel Domi, u shpreh se ky investim përfaqëson vazhdimësinë e vizionit të kompanisë për zgjerim në industri me ndikim të qëndrueshëm.
“Prej vitesh, Korporata Atlas ka ndërtuar aktivitetin e saj mbi vizionin për zhvillim dhe investime afatgjata. Edhe përmes këtij investimi, ne synojmë të kontribuojmë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke ndërtuar partneritete dhe projekte me vlerë”, deklaroi Domi.
Me këtë zhvillim, Korporata Atlas konsolidohet si një ndër grupet shqiptare më të diversifikuara, me aktivitet në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.







