SHBA dhe Nigeria eliminojnë liderin e lartë të ISIS-it në një operacion të përbashkët ushtarak
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar se në një operacion të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Nigerisë është vrarë një nga figurat më të larta të ISIS-it në nivel global, Abu-Bilal al-Minuki.
Sipas deklaratës së Trump në platformën e tij Truth Social, operacioni është zhvilluar gjatë natës dhe është realizuar nga forcat amerikane në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Nigerisë. Ai e cilësoi misionin si “të planifikuar me kujdes dhe shumë kompleks”, duke theksuar se objektivi ishte një nga “terroristët më aktivë në botë”.
Trump deklaroi se al-Minuki besohej se fshihej në Afrikë, por sipas tij, shërbimet amerikane të inteligjencës kishin gjurmuar lëvizjet e tij për një periudhë të gjatë. Ai shtoi se me eliminimin e tij “operacioni global i ISIS-it është dobësuar ndjeshëm”.
Presidenti amerikan falënderoi gjithashtu qeverinë e Nigerisë për bashkëpunimin në këtë operacion.
Nigeria prej vitesh përballet me sulme nga grupe të armatosura, përfshirë Boko Haram dhe ISWAP, të lidhura me ISIS-in, ndërsa autoritetet lokale kanë shtuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe praninë ushtarake për të përballuar kërcënimin.
Në muajt e fundit, SHBA ka shtuar mbështetjen për Nigerinë përmes trajnimeve ushtarake, shkëmbimit të inteligjencës dhe ndihmës teknike në luftën kundër grupeve ekstremiste.







