×
Sunday, May 17, 2026

“The Times”: Shqipëria mes destinacioneve më të lira në Mesdhe këtë verë

May 16, 2026


Ndërsa kërkesa për resortet më të njohura të Mesdheut po rritet ndjeshëm, disa destinacione alternative po dalin në pah si më të përballueshme për pushuesit këtë verë. Sipas një artikulli të publikuar në “The Times” nga gazetarja Sarah Turner, turistët po rikthehen masivisht në vende si Italia, Spanja dhe Greqia, duke zgjedhur destinacione që i njohin dhe ku ndihen më të sigurt për eksperiencën që do të marrin.

Operatorët turistikë raportojnë një rritje të fortë të kërkesës për këto vende klasike, ndërsa këtë vit Greqia përfiton edhe nga mungesa e vonesave të pritshme nga sistemi i ri i kontrollit të hyrje-daljeve (EES). Megjithatë, në pjesën lindore të Mesdheut vihet re një interes më i ulët, çka po krijon mundësi për oferta më të mira dhe çmime më konkurruese.

Në këtë kontekst, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion turistik në rritje. E vendosur përballë brigjeve të Italisë dhe mes Malit të Zi dhe Greqisë, ajo po hyn gradualisht në hartën kryesore të turizmit evropian. Artikulli thekson se vendi ofron një kombinim të rrallë të historisë, natyrës dhe çmimeve të përballueshme.

Vizitorët mund të eksplorojnë rrënoja antike si Apollonia dhe Butrinti, ndërsa qyteti i Beratit ofron një pamje të veçantë me arkitekturën osmane të shekullit XV. Në të njëjtën kohë, vijë bregdetare prej rreth 300 miljesh po zhvillohet me ritme të shpejta, duke u pasuruar me hotele dhe struktura të reja turistike.

Një nga zonat më të përmendura është bregdeti jonian në jug, ku qytete si Himara po tërheqin turistë me kombinimin e detit të pastër dhe jetës së gjallë verore. Edhe ishulli i Sazanit, dikur bazë ushtarake, po shndërrohet në një pikë të re interesi, me restorante dhe hotele ende të përballueshme.

Sipas raportimit, çmimet në Shqipëri mbeten konkurruese, me vakte që rrallë kalojnë 13 paund dhe një kulturë mikpritjeje ku rakia shërbehet bujarisht.

Operatorët turistikë ndërkombëtarë po e përfshijnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë në ofertat e tyre. Një shembull është një tur tetëditor që kombinon bregdetin dhe kulturën, duke përfshirë qëndrime në rivierë dhe vizita në qytete historike, me një çmim rreth 2,230 paund për person, përfshirë fluturimet dhe guidat.

Përveç Shqipërisë, artikulli përmend edhe destinacione të tjera alternative si Kroacia, Mali i Zi, Qipro dhe Turqia, të cilat po ofrojnë eksperienca të ngjashme me Mesdheun klasik, por me më pak turma dhe çmime më të arsyeshme.




Comments are closed.