×
Friday, May 15, 2026

Dita e Familjes, ministrja Sala: Çdo fëmijë meriton të rritet në një familje të sigurt dhe me dashuri

May 15, 2026


Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një bashkëbisedim me familje kujdestare dhe birësuese në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku theksoi rëndësinë e rolit të familjes në mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja vlerësoi kontributin e familjeve që ofrojnë kujdes alternativ dhe nënvizoi se forcimi i mbrojtjes sociale mbetet prioritet i politikave qeveritare.

Fjala e ministres:

“Familja është themeli i shoqërisë. Fëmijët janë pasuria jonë dhe çdo fëmijë meriton të rritet në një familje. Në një familje që jep dashuri, siguri dhe mbrojtje. Dhe kur është e pamundur që familja biologjike ta japë këtë mbështetje, është detyra jonë si shoqëri dhe institucion që t’i ofrojmë një familje, prandaj edhe familjet kujdestare dhe birësuese kanë një rol të veçantë në këtë drejtim.”

Ministrja Sala solli në vëmendje një sërë politikash dhe nismash që synojnë fuqizimin e familjes biologjike, ndërgjegjësimin për birësimin dhe zgjerimin e shërbimeve sociale për fëmijët në nevojë, duke theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ajo ndaloi veçanërisht tek Ligji i ri “Për Kujdesin Alternativ në Familje”, i cili krijon mekanizma mbështetës për familjet kujdestare dhe synon të ofrojë alternativa më të mira për fëmijët jashtë kujdesit prindëror. Sipas saj, ky ligj parashikon mbështetje financiare për rreth 150 familje kujdestare profesionale, të cilat do të kujdesen për rreth 150 fëmijë.

“Ligji i ri për Kujdesin Alternativ na ka ndihmuar duke na dhënë të gjithë bazën për të forcuar vërtet familjen dhe për t’u ofruar këtyre fëmijëve një ambient familjar, me dashuri, përkushtim dhe siguri. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë”, theksoi ministrja.

Në përfundim, Sala falënderoi familjet kujdestare dhe birësuese, partnerët dhe stafet e institucioneve sociale për angazhimin dhe humanizmin e treguar në përkujdesjen ndaj fëmijëve.

Aktualisht, qeveria shqiptare po zbaton disa programe në mbështetje të familjeve dhe grupeve në nevojë. Rreth 50 mijë familje përfitojnë nga Skema e Ndihmës Ekonomike, ndërsa rreth 70 mijë persona mbështeten nga Skema e Aftësisë së Kufizuar. Gjithashtu, përmes Fondit Social janë ngritur dhjetëra shërbime dhe qendra komunitare në të gjithë vendin, ndërsa programet e mbrojtjes sociale mbështesin mijëra nëna dhe familje.

Procesi i de-institucionalizimit vijon me transformimin e institucioneve në qendra të dedikuara për mbështetjen e familjeve dhe fëmijëve në nevojë, me synimin për të ofruar shërbime më cilësore dhe më pranë komunitetit.




Comments are closed.