SHBA shqyrton pezullimin e taksës federale të karburantit për të ulur çmimet e benzinës
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar se administrata e Shteteve të Bashkuara po shqyrton mundësinë e pezullimit të taksës federale mbi karburantin, në kuadër të përpjekjeve për të ulur çmimet e benzinës për konsumatorët.
Në një intervistë për NBC News, Wright theksoi se çdo masë që ndihmon në reduktimin e kostove të karburantit në tregun amerikan mbështetet nga administrata.
“Çdo hap që mund të ndërmerret për të ulur çmimin e karburantit dhe kostot për amerikanët mbështetet nga kjo administratë,” u shpreh ai.
Sipas tij, qeveria amerikane ka ndërhyrë tashmë me disa masa për të përballuar presionin në tregjet energjetike, përfshirë përdorimin e rezervës strategjike të naftës, rishikimin e rregullave mjedisore mbi përzierjet e benzinës, si dhe kërkesa ndaj rafinerive për të kufizuar ndërprerjet e mirëmbajtjes në mënyrë që të rritet prodhimi.
Wright shtoi se lëvizjet e çmimeve të energjisë janë të lidhura ngushtë me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës. “Kur të rikthehet lëvizja e lirë në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e energjisë do të bien,” deklaroi ai.
Muajin e kaluar, ai kishte paralajmëruar se çmimi i benzinës në SHBA mund të mos zbresë nën 3 dollarë për galon deri në vitin 2027, edhe në rast stabilizimi të situatës në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ky parashikim u kundërshtua publikisht nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi atë si “krejtësisht të gabuar”.







