Rama: 2030 objektivi madhor për anëtarësimin në BE
Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e hapjes së Javës së Europës, në kuadër të Dita e Evropës, kryeministri Edi Rama u ndal te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se viti 2030 mbetet objektivi madhor për përmbylljen e këtij procesi, ndërsa sqaroi edhe afatet ndërmjetëse për negociatat.
“Sa i përket çështjes së 2027, 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë edhe një hapësirë që, për një arsye ose një tjetër, mund të ketë edhe një zgjatje të mbylljes së negociatave deri nga mesi i vitit 2028. Jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. 2030 është vendosur si një objektiv madhor. Pas negociatave ka ratifikime, miratime nga shtetet dhe kërkon një kohë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk përfundon me mbylljen e negociatave, por vijon me faza të tjera të rëndësishme, përfshirë ratifikimin nga shtetet anëtare, çka kërkon kohë dhe koordinim politik në nivel evropian.






