Begaj në Firence: Kardinal Ernest Simoni, simbol i qëndresës dhe besimit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit të shugurimit meshtarak të Kardinal Ernest Simoni, e zhvilluar në katedralen Santa Maria del Fiore në Firence.
Gjatë fjalës së tij, Begaj e cilësoi Kardinal Simonin si një simbol të rrallë të qëndresës, besimit dhe sakrificës, duke e quajtur një “martir të gjallë”.
“Historia Juaj është dëshmi e gjallë se asnjë regjim nuk mund të shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor. Historia Juaj, Kardinal Ernest Simoni, na mëson se besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove dhe se dinjiteti i njeriut nuk varet nga rrethanat, por nga qëndrimi që ai mban përballë tyre”, – u shpreh Presidenti në mesazhin e tij.
Ai nderoi gjithashtu sakrificën e klerikëve gjatë diktaturës, si dhe kujtoi 38 martirët katolikë të lumturuar, duke theksuar se falë kësaj trashëgimie Shqipëria sot është një model i bashkëjetesës fetare.
“Kjo harmoni ndërfetare është përgjegjësi e përditshme dhe pasuri që duhet ta ruajmë dhe ta përcjellim te brezat e ardhshëm. Por kjo liri nuk erdhi vetë. Ajo ka emra, histori dhe sakrifica. Dhe një nga këta emra është pa dyshim Kardinali Ernest Simoni”, – shtoi Begaj.
Një mesazh të veçantë nderimi ai ia kushtoi edhe Papa Françesku, për vlerësimin që i bëri figurës së Kardinalit, duke e ngritur në këtë dinjitet dhe duke e bërë të njohur në mbarë botën si një dëshmi të gjallë të qëndresës dhe përulësisë.
Në përfundim, Presidenti theksoi se madhështia e njeriut nuk qëndron te fuqia apo fama, por te përulësia, integriteti dhe shërbimi ndaj të tjerëve, duke e mbyllur mesazhin me një thirrje për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të paqtë dhe më të lirë.






