Rezolutë në SHBA për Kosovën në NATO, thirrje katër vendeve të rishikojnë qëndrimin
Një rezolutë e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ligjvënësit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, në mbështetje të anëtarësimit të Kosova në NATO, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë ato greke.
Dokumenti i bën thirrje katër vendeve anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën — Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja — të rishikojnë pozicionin e tyre, duke argumentuar se njohja më e gjerë është thelbësore për integrimin e saj në aleancë.
Sipas tekstit të rezolutës, mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh vazhdon të kufizojë përparimin e Kosovës, pavarësisht angazhimit të saj për stabilitet rajonal dhe orientimit strategjik drejt vendeve të NATO-s.
Kongresmeni Keith Self theksoi se Kosova ka treguar një përkushtim të qartë për stabilitetin në rajon, por progresi drejt anëtarësimit mbetet i bllokuar nga mungesa e njohjes nga disa vende.
“Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën të rishikojnë pozicionet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit”, u shpreh ai.
Ndërkohë, analistja Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë vlerësoi se rezoluta me mbështetje dypartiake përçon një mesazh të fortë politik, duke theksuar se Ballkani mbetet një prioritet strategjik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se angazhimi në rajon nuk duhet të zbehet.







