×
Tuesday, April 28, 2026

Profili i ambasadorit të ri amerikan në Tiranë Eric Wendt

April 28, 2026


Në raportin dërguar Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë profilin si më poshtë vijon për Eric Wendt, kandidatin e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump në postin e ambasadorit në Shqipëri:

Gjenerallejtënanti në pension, Eric Wendt punon si profesor i Praktikës duke dhënë leksione mbi Komandimin dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare Detare (NPS).

Kur ishte ende në shërbim si gjeneral me tre yje, ai ishte i stacionuar në Evropë dhe shërbeu si komandant për Shtabin e Operacioneve Speciale të NATO-s.

Ai komandoi të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë njësitë e operacioneve speciale shqiptare) dhe punoi në Shqipëri me drejtuesit e Mbrojtjes dhe ushtarët.

Më parë, ai kishte shërbyer për një vit në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal, gjë që përfshinte mbikëqyrjen e ushtarëve nga Shqipëria.

Gjatë më shumë se 34 viteve të detyrës aktive, ai mbajti pozicione të shumta të larta komanduese dhe udhëhoqi organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe të agjencive.

Ai punoi për Departamentin e Shtetit të SHBA-së për dy vjet si pjesë integrale e ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, ku udhëhoqi një koalicion prej tetë vendesh si koordinator i Sigurisë së SHBA-së, Autoritetit Izrael-Palestinë dhe raportonte drejtpërdrejt te sekretari i Shtetit.

Përvoja e tij e konsiderueshme në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe të agjencive si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Evropën e bëjnë gjenerallejtënantin në pension, Wendt të mirëkualifikuar për të shërbyer si ambasador i SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.

Gjenerallejtënanti në pension, Wendt mori një diplomë Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare Detare, Monterey, Kaliforni.

Ai flet gjuhën arabe dhe atë koreane.

Ai është fitues i çmimeve dhe nderimeve të shumta, duke përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar në Mbrojtje, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronztë dhe Çmimin Superior të Nderit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.




Comments are closed.