×
Friday, May 1, 2026

Kanadaja dhe Meksika bashkojnë forcat për t’u bërë ballë tarifave të Trump

September 19, 2025


Kanadaja dhe Meksika kanë rënë dakord për të thelluar bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe sigurisë, në një kohë kur të dy vendet përballen me presione ekonomike dhe tarifore nga Shtetet e Bashkuara. Pas një takimi dypalësh në Meksikë, kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidentja meksikane Claudia Sheinbaum theksuan angazhimin për një partneritet të përbashkët, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me SHBA-të.

Të dyja vendet janë goditur nga tarifat amerikane: Kanadaja me një tarifë 50% për çelikun dhe Meksika me 25% për disa produkte farmaceutike, si dhe një tarifë e veçantë prej 25% nga Meksika, e justifikuar nga SHBA për arsye sigurie kufitare.

Në këtë vizitë të parë zyrtare të Carney-t në Meksikë si kryeministër, u evidentua dëshira për të rikthyer marrëdhëniet pas tensioneve të vitit të kaluar. Atmosfera midis dy liderëve ishte shumë më e ngrohtë, me shkëmbim dhuratash dhe fjalë optimiste për bashkëpunimin e ardhshëm.

Konsumuan karamele me kanabis, 3-vjeçarja ende në “luftë” për jetën! Shefi i Pediatrisë: Ja si është gjendja e dy motrave të tjera

Carney deklaroi se marrëveshja e re do të zgjerojë dhe thellojë partneritetin për 30 vitet e ardhshme, duke synuar një rritje të tregtisë midis dy vendeve, që në vitin 2024 u vlerësua në rreth 56 miliardë dollarë kanadezë.

Në fokus ishin edhe siguria kufitare dhe lufta kundër krimit të organizuar, çështje që presidenti Trump ka përdorur për të justifikuar tarifat ndaj të dy vendeve.

Ekspertët vlerësojnë se ky bashkëpunim i ri synon që Kanadaja dhe Meksika të tregojnë unitet përballë SHBA-ve gjatë negociatave për rishikimin e marrëveshjes së tregtisë USMCA, që pritet në 2026.

Ndërkohë që Kanadaja ka pësuar goditje në eksportet drejt SHBA-së, Meksika ka rezistuar më mirë. Kjo ka krijuar një ndjenjë se Kanadaja ka lënë paksa anash Meksikën në favor të marrëdhënies me SHBA-në, por situata e tanishme po i detyron të dy vendet të rishikojnë bashkëpunimin mes tyre për të përballuar sfidat e reja ekonomike dhe politike.




Comments are closed.