Ekipi Triumph U-11 fiton turneun në Milano, shkëlqen ndaj skuadrës angleze
Skuadra U-11 e Akademisë Triumph fitoi turneun Yes Cup në Milano, pasi mposhti në finale një nga ekipet me emër, siç janë anglezët e Quens Park Rangers, me rezultatin 4-1.
Ekipi shqiptar, i mahniti të gjithë me formën e shkëlqyer të treguar, për ta marrë në fund trofeun e Yes Cup, në turneun e zhvilluar nga 17 Prilli deri sot më 20 Prill, ceremonia e hapjes për të cilin u zhvillua në stadiumin “San Siro”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Mateo Metaj, dominoi të gjithë kundërshtarët, duke nisur turneun me rezultate bindëse, siç ishte fitorja 12-3 ndaj zviceranëve të SV Muttenz apo edhe triumfi 9-0 ndaj italianëve të Arese.
Lojtarët e Akademisë së Andi Lilës dhe Endri Renxës, dhuruan leksione futbolli mes më të mirëve, për moshën 11 vjeçare.
Në gjysmëfinale, ekipi i Triumph u kualifikua si e para e grupit, pasi dominoi totalisht. Në gjysmëfinale, skuadra shqiptare u përball me italianët e Cisanese. Ndeshja u mbyll në një barazim spektakolar me rezultatin 4-4, ndërsa Triump kaloi në finale vetëm pas penalltive, ku shqiptarët u treguan më të saktë.
Në finale, ishte një ekip me emër si QPR, që në këtë përballje vinte edhe si favorite. Megjithatë talentët shqiptarë nën drejtimin e një trajneri me shumë perspektivë si Mateo Metaj, ulën me këmbë më tokë gjigantët anglezë dhe dominuan ndeshjen finale. Pjesa e parë u mbyll 2-0, me një dominim të plotë. Në pjesën e dytë shqiptarët e Triumph shënuan sërish edhe 2 gola, ndërsa anglezët u mjaftuan me vetëm një gol ngushëllimi në fund të ndeshjes.
Me këtë rezultat ekipi shqiptar Triumph Under 11, u shpall kampion i padiskutueshëm i turneut dhe solli kupen në Tiranë. Kjo është kupa e tretë brenda 4 muajsh për Triumph U11, të cilët në nëntor fituan kupën PAS Janina në Greqi dhe kampionatin e parë të Futsal në fillim të vitit.
Përveç këtij kompeticioni në Milano, dy ekipe të tjera të ekipeve të moshave të Triumf U-11 dhe Triumf U-13, morën pjesë në një tjetër turne në Agrinio të Greqisë ku edhe aty u morën rezultate të mira dhe konkurrencë e fortë me bashkëmoshatarët grekë..







