Sfidat e ekonomisë shqiptare në një Ballkan të hapur

08 Feb 2022 22:07
Shpërndaje:

Studimi/ Ekonomistët: Masat e rekomanduara për vendimmarrësit për të përfituar nga heqja e barrierave.


Serbia dhe Maqedonia më të përgatitura, nevojiten subvencione dhe orientim i zhvillimit

Nga Enton Duro, Klodian Muço, Altin Hoti*

Reklamë Ola

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gadishmërinë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian duke u angazhuar në shumë nisma institucionale dhe politike drejt integrimit në BE duke promovuar standart më të mirë jetese dhe rritje ekonomike të begatë, gjithëpërfshirëse dhe cilësore. Hapat konkretë drejt integrimit evropian të këtyre vendeve shihen me firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) midis çdo vendi dhe BE, e cila është pasuar edhe me nisma të tjera bashkëpunimi konkret, ndër to, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA), e cila u jep mundësinë vendeve të BP6 për të arritur marrëveshje të Tregtisë së Lirë Ndër-rajonale duke eleminuar gradualisht barrierat tarifore dhe jotarifore.

Një nismë e rëndësishme në aspektin e arritjeve të përbashkëta është dhe “Procesi i Berlinit” në vitin 2014. Ky angazhim i udhëhequr nga Gjermania, synon mbështetjen e rajonit për zhvillimin në sferat e “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtetndërtimit”.
Në vitin 2019, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut hodhën idenë e krijimit të një Mini Shengeni Ballkanik. Në fund të korrikut 2021, kjo ide evoluoi në një nismë rajonale të tre vendeve, të quajtur “Ballkani i Hapur”, me anë të së cilës është promovuar rritja e përfitimeve ekonomike dhe sociale duke nxitur më tej lirinë e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve si dhe bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi të përbashkët. Tri vendet iniciatore nënshkruan në dhjetor 2021, në takimin e Elbasanit, marrëveshjet e para të “Ballkanit të Hapur”.

Reklamë InterMedika

Përtej shumë paqartësive që ekzistojnë mbi nismën “Ballkani i Hapur” mbetet evident fakti që Ballkani Perëndimor ka zhvillime të ndryshme apo asimetri të theksuara në profilin ekonomik dhe jo vetëm. Promovimi i ndërveprimit dhe konektivitetit të përshpejtuar të synuar nga “Ballkani i Hapur” dhe nismat e tjera të bashkëpunimit për një treg të përbashkët rajonal, duhet të bazohen mbi reduktimin e këtyre asimetrive si dhe një zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe social gjithëpërfshirës.

Duke zhvilluar një analizë krahasimore të sektorëve kryesore ekonomikë mund të identifikohen asimetritë kryesore të ambjentit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit, cilat janë kapacitetet aktuale prodhuese dhe konkuruese si dhe madhësia e sektorit shtetëror në këndvështrimin e politikave tatimore dhe alokimit të shpenzimeve.

Gjetjet kryesore

Referuar Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, Kosova dhe Shqipëria janë vendet më të varfëra në rajon. Shqipëria është dhe vendi me nivelin më të lartë të varfërisë për personat që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD në ditë. Vendi me standarte më të mira në të ardhurat për frymë në rajon është Mali i Zi, i ndjekur nga Serbia. Gjatë periudhës 2013-2019, Mali i Zi është dhe vendi me performancën më të mirë të rritjes ekonomike në rajon.
Serbia është vendi me ekonominë më të madhe në rajon. Ekonomia e këtij vendi përballoi shumë më mirë se vendet e tjera të rajonit krizën e vitit 2020. Serbia rezulton me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së sektorit industrial (pëfshirë ndërtimin) në ekonomi, e njekur nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnja Hercegovinë, ndërkohë që ekonomia Shqiptare rezulton me nivelin më të lartë të sektorit bujqësor në ekonomi. Kjo karakteristikë e ekonomisë Shqipëtare, e shoqëruar me nivelin më të lartë të vetpunësimit në rajon, e bën vendin me nivelin më të ulët të produktivitetit në rajon dhe rrjedhimisht edhe të pagës mesatare. Ky trend vërehet gjatë një periudhe të gjatë kohore 2012-2019.

Mali i Zi është vendi me nivelin më të lartë të produktivitetit në rajon por edhe vendi me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së shërbimeve në strukturën e prodhimit. Kjo e fundit, si karakteristikë kryesore e ekonomisë së Malit të Zi, solli edhe pasojat më të rënda në rënien ekonomike krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Rënia ekonomike në Malin e Zi në vitin 2020 vlerësohet në -15.2%, ndërkohë që për Serbinë ky tregues për vitin 2020 vlerësohet vetëm -0.98%! Ekonomia e Serbisë është përfaqësuar me performancë më të lartë të rritjes ekonomike gjatë periudhës 2018-2020.

Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovinë kanë pjesëmarrje më të lartë të shtetit në ekonomi, në mbi 40% të PBB, ndërkohë që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut këtë pjesëmarrje e kanë në rreth 30% të PBB. Nga pikëpamja e përbërjes së shpenzimeve, ndër të tjera, vihet re niveli më i lartë i subvencioneve që realizojnë Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ky tregues për Shqipërinë është rreth 17 herë më i ulët. Krahasimi midis të ardhurave totale buxhetore dhe të ardhurave nga taksat vë në pah varësinë e madhe që ka Kosova nga të ardhurat nga taksat në të ardhurat totale buxhetore. Diferenca është vetëm 2% e PBB për këtë vend. Ndërkohë që Serbia dhe Bosjna-Hercegovina e kanë këtë diferencë në rreth 20% të PBB. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vendet që realizojnë më pak të ardhura nga taksat në buxhetin e shtetit, në përqindje të PBB.

Edhe pse Shqipëria është vendi me normat më të larta tatimore të të ardhurave nga puna dhe kapitali, përsëri vendi aplikon nivelin më të ulët në rajon për kontributet shoqërore (përjashtuar Kosovën). Maqedonia e Veriut ka një specifikë në këtë tregues pasi barra e sigurimeve shoqërore mbetet tek i punësuari duke krijuar më shumë hapësira për punëdhënësin. Vështirësia e sistemit tatimor në Shqipëri mund të përfaqësohet nga numri i lartë i pagesave vjetore, më i larti në rajon.

Përdorimi i sektorit bankar në Shqipëri është më i ulëti në rajon, ndërkohë që Serbia ka dhe nivelin më të lartë në rajon për financimin e investimeve nga sektori bankar e ndjekur nga Maqedonia e Veriut. Duke përjashtuar Kosovën, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë dhe nivelin më të ulët të kredive me probleme në rajon, ndërkohë që Shqipëria ka nivelin më të lartë në këtë tregues. Shqipëria ka nivelin më ulët të kreditimit të sektorit privat në rajon gjatë periudhës 2012-2020.

Analiza e tregtisë së jashtme të mallrave tregon se Serbia është vendi me rezultatin më të mirë në rajon duke realizuar edhe një bilanc tregtar pozitiv me vendet e rajonit. Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë vendet që kanë dhe nivelin më të lartë të eksporteve në rajon. Maqedonia e Veriut është vendi me hapjen më të lartë tregtare në rajon me rreth 135% të PBB e ndjekur nga Serbia me rreth 85% të PBB. Të dy vendet kanë dhe koeficentin më të lartë eksport/import në tregtinë e jashtme të mallrave duke treguar dhe specializimin e tyre në tregjet e eksportit. Ndërkohë Kosova dhe Shqipëria rezultojnë me nivelin më të ulët të hapjes tregtare në rajon. Kosova ka dhe koeficentin eksport/import më të ulët në rajon.

Partneri më i madh tregtar i rajonit mbetet BE. Në një analizë krahasuese midis vitit 2019 kundrejt vitit 2011, Shqipëria është vendi që ka rritur më shumë eksportet në rajon, ndërkohë që Maqedonia e Veriut është vendi që ka ulur më shumë eksportet dhe ka rritur më shumë importet në rajon. Serbia gjithashtu ka rritur eksporet dhe ka ulur importet në rajon, por kjo performancë është më e ulët se Shqipëria.

Nga pikëpamja e shportës së gruprmallrave në tregtinë e jashtme vihet re niveli i lartë i eksporteve në “Makineri dhe Pajisje” i Maqedonisë së Veriut në 22.4% të PBB duke rezultuar eksportues neto në këtë grup. Nëse do të përjashtohej nëngrupi “Materiale ndërtimi dhe metale” Maqedonia e Veriut do të rezultonte me një bilanc tregtar pozitiv në tregtinë e jashtme. Serbia gjithashtu ka nivel të lartë të eksportit në “Makineri dhe Pajisje” dhe pse rezulton importues neto në këtë grup. Avantazhi i dukshëm në tregti për Serbinë është tek grupi “Ushqim, pije dhe duhan” ku rezulton si eksportues neto. Shqipëria, përveç rezultatit si eksportues neto në grupin “Tekstile dhe veshmbathje” është importues neto në të gjitha nëngrupet e tjera. Lidhur edhe me nivelin e ulët industrial eksporti në “Makineri dhe pajisje” për Shqipërinë është dukshëm më i ulët se mesatarja e rajonit. Mali i Zi është vendi me nivelin më të lartë të defiçitit tregtar në rajon i ndjekur nga Kosova duke treguar varësinë e lartë të këtyre vendeve nga tregjet e importit. Karakteristikë e përbashkët në tregtinë e jashtme për BP6 është pozicioni si importues neto i të gjitha vendeve në “Energji dhe hidrokarbure” duke treguar nevojën e kushtëzuar të rajonit nga tregjet ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut është vendi me klimën më të mirë të bërit biznes në rajon. Vendi renditet në 17 vendet e para nga 190 vende të klasifikuara në këtë indeks, performancë shumë e lartë nëse e krahasojmë me renditjen e 82 të Shqipërisë dhe 90 të Bosjne Herzegovinës. Nga 10 kolonat e vlerësimit në përbërje të indeksit, Shqipëria ka 7 prej tyre nën mesataren e rajonit. Serbia gjithashtu ka një klimë më të mirë se Shqipëria në të bërit biznes. Vendi renditet i 44 në klasifikimin total.
Indeski Global i Inovacionit rendit Malin e Zi në vendin e parë në rajon, i ndjekur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Edhe në këtë tregues Shqipëria renditet e fundit në rajon e ndjekur nga Bosnje Hercegovinë.

Performancë e ulët për Shqipërinë shihet edhe tek Indeksi i kompleksitetit ekonomik, krahasuar me rajonin. Ky tregues nuk është përmirësuar ndër vite për Shqipërinë, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit po përmirësojnë klasifikimin e tyre në këtë indeks. Klasifikimi më i mirë në rajon i mbetet Serbisë e ndjekur nga Bosjne Hercegovinë dhe më pas Maqedonia e Veriut.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2021 rendit Shqipërinë ne vendin e fundit në rajon së bashku me Bosjna Herzegovinën. Ky tregues ka ardhur në përkeqësim për Shqipërinë gjatë katërvjecarit të fundit.

Masat e propozuara

Gjetjet e ofruara nga analiza krahasimore e vendeve të rajonit dëshmojnë se në përgjithësi Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të pozicionuar më mirë në të gjithë treguesit e marrë në konsideratë në këtë punim. Ekonomitë e tyre janë më shumë të orinetuara drejt prodhimit industrial dhe kohët e fundit performanca e tyre po rritet. Ky fenomen nuk identifikohet në ekonominë Shqiptare. Kjo e fundit ka dhe peshën më të madhe të pjesëmarrjes së sektorit bujqësor në ekonomi si dhe nivelin më të ulët të produktivitetit në rajon bazuar tek të dhënat e disponueshme.

Shpenzimet buxhetore për subvencione në përqindje të PBB janë shumë më të larta se në Shqipëri dhe efektiviteti i tyre mund të vihet re në përmirësmin e konleksitetit të eksporteve, klimën e të bërit biznes dhe në inovacion duke impaktuar pozitisht në konkurueshmërinë e vendit në tregjet ndërkombëtare.

Niveli i lartë i normave tatimore në Shqipëri mund të jetë një pengesë për rritjen e performancës së biznesit, megjithatë, në kushte të krahasueshme të normave tatimore, ekonomia e Serbisë po performon shumë më mirë duke treguar që elementë tjerë janë domethënës në rezultatet e performancës. Ndër to mund të klasifikohen kapitali njerëzor, performanca institucionale, infrastruktura, Sofistikimi i tregjeve dhe njohuritë në teknologji për të cilat Shqipëria duhet të orientojë politika efektive për të arritur vendet e rajonit dhe rritur performancën ekonomike në terma afatgjatë. Për më tepër, Shqipëria vazhdon të mbetet në një nivel të lartë të perceptimit të korrupsionit dhe po shkëputet nga trendi përmirësues i këtij treguesi tek vendet e tjera të rajonit.

Në aspektin e barrës së taksave në ekonomi, duhet theksuar që Shqipëria, edhe pse me norma më të larta tatimore, arrin të sigurojë të ardhura nga taksat në buxhet më pak vendet e tjera në rajon (përjashtuar Maqedoninë e Veriut). Ky fenomen mund të lidhet edhe me nivelin e lartë të përjashtimeve tatimore në Shqipëri dhe pse nuk gjendet një bazë krahasuese me vendet e rajonit për këtë tregues. Nëse përjashtimet tatimore në Shqipëri ruajnë parimin e nxitjes së prodhimit vendas nga biznesi, dhe ky instrument paralelizon nivelin e lartë të subvencioneve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, atëherë humbja e efektivitetit është e dyfishtë, në mungesën e të ardhurave tatimore dhe në rritjen e performancës së ekonomisë krahasuar me vendet e rajonit.

Në aspektin tregtar të mallrave, edhe pse Shqipëria ka rritur performancën në tregtinë rajonale, ky tregues ka vulnerabilitet të lartë nëse përfshijmë faktorët e sipërpërmendur të cilët rrisin riskun e performancës së avantazheve konkuruese me rajonin. Nëse krahasojmë performancën e tregtisë së jashtme të Ballkanit Perëndimor me performancën e tregtisë rajonale, kjo e fundit ka rritur volumin e saj shumë më pak se tregtia e jashtme e mallrave edhe pse CEFTA ka ndikuar pozitivisht në nxitjen e tregtisë në rajon. Nëse Serbia ka një avantazh të dukshëm në produktet ushqimore dhe Maqedonia e Veriut shpeh avantazh të dukshëm në “Produkte kimike dhe Plastike” si dhe në “Makineri dhe Pajisje”, për Shqipërinë avantazhi i vetëm shprehet në “Tekstile dhe veshmbathje” duke shfrytëzuar forcën e lirë punëtore.

Bilanci tregtar negativ në mallra kompensohet në një masë me bilancin poztiv në shërbime për Shqipërinë të lidhura kryesisht me sektorin e turizimit, por zgjerimi i shërbimeve sjell një faktor risku për ekonominë në rast krizash si ajo e covid-19 ku analiza e Malit të Zi e shpeh qartazi këtë fenomen. Në këtë kuptim, zgjerimi i sektorëve të shërbimeve duhet të jetë i balancuar midis rritjes dhe qëndrueshmërisë, në të kundërt faktorët e riskut shtohen. Problematika e tregtisë mallrave përfaqësohet me barrierat jo-tarifore, si ato sanitare dhe fitosanitare, teknike dhe administrative por edhe me keq orientimin e zhvillimit të sektorëve me intensitet të lartë karboni të cilat nuk janë në linjë me standartet e BE. Në tërësi Ballkani Perëndimor duhet të ardesojë me vëmendje politikat e energjisë në të ardhmen duke kërkuar minimizimin e varësisë nga tregjet ndërkombëtare.

Ashtu si dhe BE thekson, rritja e ndërveprimit rajonal mund të sjell përfitime në vendet e rajonit por këto përfitime shoqërohen me risk të lartë nëse do të jenë gjithpërfshirëse apo selektive. Në këtë kuptim, hapja më thelluar tregtare me reduktimin e mëtejshëm të barrierave tregtare midis vendeve duhet të jetë e mirë studiuar dhe konsultuar gjerësisht dhe në çdo detaj me grupet e biznesit. Studime në nivel mikro për produkte të ndryshme duhet të merren në konsideratë me qëllim optimizimin e avantazheve krahasuese për çdo vend të cilat, në bashkëpunim me grupet e biznesit, duhet të jenë baza e trajtimeve specifike në marrëveshjet tregtare me rajonin. Vetëm në këtë mënyrë do të rritet besimi në shoqëri dhe në grupet e interesit duke ulur riskun moral dhe duke rritur premisat e kuptimit dhe kalimit të çdo situate rastësore me risk në proces. Elementi i besimit, shoqëruar me komunikim efektiv dhe transparent rrit shpejtësinë e implementimit të politikave pasi grupet e interesit i mirëpresin ato për efektet e pritshme pozitive.

* Enton Duro është lektor pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Klodian Muço, lektor pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” dhe Altin Hoti, lektor në Universitetin Amerikan të Lindjes së Mesme në Kuvajt.

Punimi i plotë mund të konsultohet në adresën: http://www.asp.al/pdf/Tregu_i_Perbashket_ Rajonal_dhe_ Ballkani_i_Hapur-converted.pdf