E ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë dislokimin e forcave të tyre në Europë. Gjermania konfirmon se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës KFOR, por nuk sqaron nëse po diskutohet reduktimi i kontingjentit amerikan.
“Forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur nëse aleatët kanë diskutuar mundësinë e zvogëlimit të pranisë amerikane në Kosovë, zëdhënësi theksoi se qeveria gjermane është në komunikim të ngushtë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa hollësitë e planifikimit ushtarak nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.
Deklaratat vijnë pas konsultimeve të zhvilluara më 17 nëntor në Bruksel, ku përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në kontinentin europian.
Përpara takimit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, paralajmëroi se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane në Europë, megjithëse përmasat e tyre mbeten ende të panjohura. Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit me Uashingtonin për të shmangur krijimin e boshllëqeve në mbrojtjen europiane.
Pas konsultimeve, Colby deklaroi se shpreson që rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Europë të përfundojë deri më 1 dhjetor. Ai nuk konfirmoi ndonjë vendim për reduktimin e trupave, por theksoi se SHBA-ja duhet t’i shpërndajë forcat e saj në përputhje me prioritetet globale, përfshirë angazhimet në rajonin e Indo-Paqësorit.
Megjithatë, zyrtari amerikan sqaroi se një riorganizim i tillë nuk nënkupton tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga angazhimet e sigurisë në Europë.
Ndërkohë, sipas një burimi anonim të Radios Evropa e Lirë, ekziston një plan që parashikon reduktimin e ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë.
Burimi pretendon se numri i ushtarëve amerikanë mund të ulet nga rreth 650 aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Sipas tij, synimi është që SHBA-ja të ruajë vetëm një prani të kufizuar ushtarake në Kosovë, ndërsa disa pozicione mund të mbeten në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione. As autoritetet amerikane dhe as NATO-ja nuk kanë konfirmuar publikisht ekzistencën e një plani të tillë.
Në qershor, Komanda Europiane e SHBA-së kishte njoftuar se kontributi amerikan në KFOR do të përshtatej gradualisht, në përputhje me planet e NATO-s dhe vlerësimet e sigurisë. Në atë kohë nuk u specifikua numri i ushtarëve që mund të prekeshin nga ndryshimet.
Edhe NATO-ja ka paralajmëruar një riorganizim gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, me synimin që numri i trupave të rikthehet në nivelet e para vitit 2023, në varësi të zhvillimeve të sigurisë.
Aleanca kishte përforcuar misionin KFOR gjatë vitit 2023, pas tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të NATO-s dhe sulmin e armatosur në Banjskë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga një zyrtar i NATO-s më 20 tetor, KFOR-i numëronte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere të Aleancës.
NATO-ja ka theksuar se çdo ndryshim do të realizohet gradualisht dhe në bazë të vlerësimeve të situatës në terren. Në rast të përkeqësimit të sigurisë, procesi mund të pezullohet ose të ndryshojë, ndërsa Aleanca ruan mundësinë e dërgimit të përforcimeve shtesë.
Sa i përket mundësisë që Gjermania të shtojë praninë e saj ushtarake në Kosovë për të kompensuar një reduktim të mundshëm amerikan, Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Qeveria gjermane nuk spekulon për vendimet e mundshme të qeverive të tjera”, deklaroi zëdhënësi për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujtoi se Parlamenti gjerman miratoi në qershor zgjatjen edhe për një vit të mandatit të forcave gjermane në KFOR, duke autorizuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin aktualisht Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, pranë Ferizajt. Forcat amerikane janë të pranishme në Kosovë që prej vitit 1999, kur NATO-ja dislokoi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës.
KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ka për mision ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Pavarësisht riorganizimit të paralajmëruar dhe paqartësive mbi numrin e ardhshëm të trupave amerikane, NATO-ja ka ritheksuar se mandati i KFOR-it dhe angazhimi i Aleancës për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë mbeten të pandryshuara.


