Rama nga Dublini: Europa gaboi që ia la diplomacinë me Rusinë Trumpit

12 Nov 2026 • 15:14
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar qëndrimin e Europës ndaj luftës në Ukrainë, duke e cilësuar gabim përqendrimin te mbështetja ushtarake, pa mbajtur të hapura njëkohësisht kanalet diplomatike të komunikimit me Rusinë.

Në një prononcim për mediat, gjatë mbërritjes në Samitin e 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC), në Dublin të Irlandës, Rama theksoi se Europa duhet të marrë një rol më aktiv në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.

Sipas tij, mbështetja ushtarake për Ukrainën është e nevojshme, por nuk duhet të jetë instrumenti i vetëm i politikës europiane ndaj luftës.

Reklamë Ola

“Europa ka bërë një gabim shumë të madh”

“Pyetja nuk është se kujt mund t’i besojmë. Pyetja është çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet europian. Unë besoj se është bërë një gabim shumë i madh që diplomacia u është lënë në dorë të tjerëve dhe ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, por pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë”, deklaroi Rama.

Reklamë InterMedika

Kryeministri argumentoi se, pavarësisht zhvillimeve të luftës, Rusia do të vazhdojë të jetë pjesë e realitetit gjeopolitik të kontinentit europian.

“Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi. Do të vazhdojë të qëndrojë aty. E ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe ndërkohë që mbështesim gjatë tërë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, u shpreh ai.

Rama: Nuk duhet t’ua lëmë amerikanëve diplomacinë me Rusinë

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Europa duhet të jetë e pranishme në tryezën e negociatave me Moskën dhe të mos ua lërë këtë rol vetëm fuqive të tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, nuk duhet t’u takojë vetëm amerikanëve, kinezëve apo indianëve të zhvillojnë bisedime me Rusinë për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e kontinentit europian.

Rama solli në vëmendje edhe mungesën historike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk lidhet me ndonjë afërsi politike me Moskën.

“Unë përfaqësoj një vend që nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Që në vitet ’60 nuk kemi pasur asnjë vizitë nga Kremlini e nuk kemi vizituar asnjëherë Kremlinin. Kështu që jam krejt i lirë të them që si europian ndihem vërtet shumë i trazuar që Europa e ka mbështetur gjithçka vetëm tek armatimet dhe jo tek diplomacia”, deklaroi kryeministri.

“Europa e ka jashtëkontraktuar diplomacinë te Donald Trump”

Në vijim të deklaratës së tij, Rama kritikoi faktin që, sipas tij, Europa ka lënë në duart e presidentit amerikan Donald Trump përpjekjet kryesore diplomatike për komunikimin me Rusinë.

“Nuk më takon mua të ndreq gabimet e ‘të mëdhenjve’. ‘Të mëdhenjtë’ janë shumë të mëdhenj që t’u japësh leksione. Çështja është që Europa e ka jashtëkontraktuar diplomacinë e saj te Donald Trump dhe ky është rezultati”, u shpreh Rama.

Ai paralajmëroi se mungesa e një angazhimi të drejtpërdrejtë diplomatik europian mund të sjellë kosto gjithnjë e më të mëdha për kontinentin.

Sipas kryeministrit, Europa duhet të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, por njëkohësisht të gjejë mënyra për të rifilluar komunikimin me Rusinë.

“Tabloja e sotme na tregon pikërisht atë çfarë nuk kishim parashikuar kur nisi çdo gjë. Kurrë nuk është vonë të pranosh gabimet”, përfundoi Rama.

Deklaratat e kryeministrit shqiptar u bënë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Dublin, ku lufta në Ukrainë, siguria e kontinentit dhe marrëdhëniet me Rusinë janë ndër temat kryesore të diskutimeve mes udhëheqësve europianë.