Partia Socialiste po finalizon përgatitjet për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila pritet të zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor, në orën 10:30, në një resort në Gjirin e Lalzit.
Në qendër të mbledhjes do të jenë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit, analiza e situatës politike në vend dhe strategjia e socialistëve për përballjen e ardhshme elektorale.
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama, pritet të mbajë një fjalim ku do të përcaktojë prioritetet politike dhe organizative të partisë, si dhe të prezantojë formulën për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie.
Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet Bashkisë së Tiranës, ku mbetet për t’u përcaktuar profili i kandidaturës që socialistët do të mbështesin në zgjedhjet e ardhshme.
Një tjetër çështje që pritet të tërheqë interes është qëndrimi i Ramës për situatën e Erion Veliajt, pas transferimit të tij në burgun e Fierit.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse në rendin e ditës do të përfshihet mocioni i propozuar nga Elisa Spiropali për hapjen e Partisë Socialiste dhe nismën e saj të quajtur “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”.
Mbledhja zhvillohet në një moment kur socialistët po përgatiten për garën vendore, ndërsa në diskutim mbeten edhe zhvillimet politike të lidhura me protestat dhe mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Asambleja e së shtunës pritet të japë sinjalet e para mbi strategjinë elektorale të Partisë Socialiste, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe qëndrimet e kryeministrit për çështjet e brendshme të partisë.


