Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Admir Kadeli, ka reaguar pas takimit me Dorian Burakun, i cili, sipas tij, është përballur me komente fyese dhe akuza pas takimit me Kryeministrin Edi Rama.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kadeli tregon se Buraku e ka vizituar në zyrë për t’i rrëfyer shqetësimin e tij për komentet që kishin prekur jo vetëm gjendjen e tij fizike, por edhe dinjitetin personal, duke e akuzuar se ishte blerë.
Sipas deputetit socialist, Buraku i ka kërkuar që të flasë për të nga foltorja e Parlamentit, duke theksuar se ai është një njeri i ndershëm, që nuk blihet dhe nuk shitet.
Kadeli nënvizon se pjesëmarrja e Burakut në protestë dhe vendimi i tij për të takuar Kryeministrin janë zgjedhje personale, të cilat duhet të respektohen. Ai thekson se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë shqetësimet e veta, të marrë vendime të pavarura dhe të kërkojë zgjidhje për problemet që e prekin.
“Dori mendon vetë, vendos vetë dhe ka guximin të thotë kur diçka nuk shkon mirë”, shprehet Kadeli, duke kundërshtuar fyerjet dhe përpjekjet për të cenuar dinjitetin e tij për shkak të zgjedhjeve që bën.
Në fund të reagimit, deputeti i PS-së premton se do ta mbajë fjalën e dhënë për të folur në Parlament për ndershmërinë dhe dinjitetin e Dorian Burakut.
“Dori, të dhashë fjalën se do të flas nga foltorja e Parlamentit për ndershmërinë, dinjitetin dhe burrërinë tënde. Dhe do ta mbaj”, shkruan Kadeli, duke shtuar se zëri i Burakut meriton të dëgjohet dhe respekti nuk duhet të kërkohet nga askush.


