Greqia merr mbështetjen e tri vendeve arabe kundër marrëveshjes detare Turqi–Libi

28 Oct 2026 • 18:50
Shpërndaje:

Greqia ka siguruar mbështetjen e Egjiptit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në kundërshtimin e marrëveshjes detare mes Turqisë dhe Libisë, e cila mbetet burim përplasjesh diplomatike në Mesdheun Lindor.

Katër vendet paralajmërojnë se marrëveshja cenon të drejtat detare të shteteve të tjera dhe rrezikon sigurinë e stabilitetin rajonal.

Reagimi vjen pasi Parlamenti me seli në lindje të Libisë miratoi javën e kaluar marrëveshjen e vitit 2019 me Ankaranë, duke ndryshuar qëndrimin e tij të mëparshëm kundërshtues.

Reklamë Ola

Në një deklaratë të përbashkët, të paraqitur në Kombet e Bashkuara nga ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, katër shtetet shprehën shqetësimin për pasojat e marrëveshjeve dypalëshe që, sipas tyre, shpërfillin të drejtat e vendeve të treta. Deklarata mori edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qipros.

Në qendër të mosmarrëveshjes janë hapësirat detare me rëndësi për kërkimin dhe shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit natyror.

Reklamë InterMedika

Athina argumenton se marrëveshja turko-libiane nuk merr parasysh të drejtat detare të ishujve grekë, veçanërisht të Kretës. Ankaraja, nga ana tjetër, këmbëngul se marrëveshja mbron interesat e saj të ligjshme.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka hedhur poshtë kundërshtimet, duke deklaruar se reagimet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera nuk kanë bazë ligjore.

Përplasja përfshin edhe interesat energjetike. Greqia ka dhënë licenca për kërkime në zonat detare pranë Kretës, ndërsa Turqia kërkon të mbrojë të drejtat që pretendon se rrjedhin nga marrëveshja me Libinë.