Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do t’i dorëzojë sot Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2027, i cili, sipas tij, kalon për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove.
Në një adresim për qytetarët, Rama tha se buxheti përfshin masa për lehtësimin e familjeve nga rritja e kostos së jetesës dhe mbështetjen e pensionistëve.
“Vetëm tre ditë më parë ju thashë se do t’ju bëja me dije masat e reja për lehtësimin e familjeve të zakonshme. Sot i përcjellim Kuvendit buxhetin 2027, kalon pragun e 10 miliardë eurove për herë të parë në histori”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te pensionet, kryeministri tha se ecuria ekonomike krijon mundësi për shtimin e rritjes së tyre në vitet pasuese. Ai pranoi njëkohësisht se shtrenjtimi i ushqimeve dhe i naftës po rëndon mbi qytetarët.
Rama e përshkroi ekonominë shqiptare si ndër më dinamiket në rajon dhe deklaroi se borxhi publik ka zbritur në një nivel historikisht të ulët. Ai përmendi gjithashtu afrimin e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me pragun e 30 miliardë eurove si tregues të ecurisë ekonomike.
Sipas tij, masat e planifikuara për vitin 2027 synojnë të nxisin sipërmarrjen dhe investimet, duke ruajtur parimin e taksimit të ndershëm.
“Mesazhi është i qartë: Më shumë biznese, më shumë kompani, investime, njerëz të pasur në Shqipëri. Ndaj mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm”, u shpreh Rama.
Pas dorëzimit në Kuvend, projektbuxheti do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe votimit parlamentar.


