Rama paralajmëron “supertaksë” për apartamentet bosh dhe vilat në bregdet

28 Oct 2026 • 15:52
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar taksim më të lartë për apartamentet që mbahen bosh dhe vilat luksoze në bregdet, si dhe rritjen e TVSH-së për hotelerinë nga 6% në 10%. Agroturizmi do të përjashtohet nga kjo rritje.

Në mesazhin për paketën e re fiskale, Rama konfirmoi se taksa mbi fitimin për biznesin e vogël do të mbetet zero deri në vitin 2029.

“Qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për gjithë biznesin e vogël deri në 2029”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Për hotelerinë, kryeministri e lidhi rritjen e TVSH-së me kërkesën për formalizimin e aktivitetit, duke argumentuar se të ardhurat e sektorit po rriten.

“Rrisim normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim, në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten çdo vit”, u shpreh Rama.

Reklamë InterMedika

Një tjetër ndërhyrje e paralajmëruar prek pronarët që blejnë apartamente dhe nuk i nxjerrin në tregun e qirave. Sipas kryeministrit, taksimi më i lartë synon t’i përgjigjet presionit nga kostot e strehimit dhe diferencave sociale.

“Një super taksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve”, deklaroi ai.

Rama paralajmëroi gjithashtu një taksë më të lartë për vilat në bregdet dhe rritjen e çmimit të ujit që përdoret në pishinat private.

“Një super taksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin në pishinat. Kjo shkon në një tjetër ligj”, tha kryeministri.

Ai përmendi edhe taksimin e makinave të shtrenjta, por në materialin e dhënë nuk paraqiten hollësi për këtë masë. Për taksat e pronës, ndërhyrjet pritet të trajtohen përmes një projektligji të veçantë; ende nuk janë bërë të ditura normat, kriteret dhe afatet e zbatimit.