Shqipëria synon ta mbyllë provizorisht Kapitullin 29 të negociatave me Bashkimin Evropian, “Bashkimi Doganor”, në tremujorin e parë të vitit 2027. Përgatitjet përfshijnë ndryshimin e legjislacionit, forcimin e administratës dhe modernizimin e sistemeve elektronike doganore.
Në një përgjigje për Albanian Post, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se puna për kapitullin, të hapur në maj 2025, është përqendruar te përmbushja e katër piketave mbyllëse.
Ato përfshijnë përafrimin e plotë të legjislacionit me atë të BE-së, forcimin e kapaciteteve administrative dhe operacionale, zhvillimin e sistemeve elektronike dhe përfundimin e procedurave për aderimin në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Një nga proceset kryesore është hartimi i Kodit të ri Doganor. Sipas institucionit, projektligji është hedhur për konsultim publik dhe është dërguar paralelisht për konsultim ndërministror përmes sistemit e-Akte.
Doganat i kanë përcjellë Ministrisë së Financave edhe projektvendimin për ndryshime në dispozitat zbatuese të Kodit Doganor, të miratuara me vendimin nr. 651 të vitit 2017. Edhe ky propozim pritet të kalojë në konsultim publik përpara procedurave të miratimit.
Në administratë, masat po orientohen drejt shtimit të kapaciteteve njerëzore, trajnimit profesional dhe përmirësimit të strukturave e proceseve të punës, në përputhje me rekomandimet e DG TAXUD, drejtorisë së Komisionit Evropian për tatimet dhe bashkimin doganor.
Një mision monitorimi i zhvilluar në mars 2026 identifikoi rekomandime për forcimin e mëtejshëm të administratës. Në vijim, më 4 maj u miratua Plani i Veprimit i Strategjisë së Biznesit të Doganave për periudhën 2026–2027, që shërben për ndjekjen e masave dhe përmirësimin e performancës.
Modernizimi digjital përbën një tjetër shtyllë të përgatitjeve. Institucioni po zbaton strategjinë për harmonizimin e sistemeve të informacionit për periudhën 2025–2030, të miratuar nga qeveria në nëntor 2025.
Puna përfshin sistemet NCTS, National Single Window, AES, ICS2 dhe EORI, që lidhen me tranzitin, shkëmbimin e të dhënave, eksportet, sigurinë e importeve dhe identifikimin e operatorëve ekonomikë.
Paralelisht, sistemi ASYCUDA po modernizohet në bashkëpunim me UNCTAD dhe DG TAXUD, me synimin për të kaluar drejt platformës ASY5 EU.
Objektivi është që sistemet shqiptare të mund të shkëmbejnë të dhëna elektronike të standardizuara me ato të BE-së. Për këtë kërkohen përshtatje teknike, standardizim i të dhënave dhe forcim i kapaciteteve institucionale.
Më 1 tetor 2026, në Bruksel u zhvillua takimi i parë koordinues për zbatimin digjital dhe vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për lidhjen me sistemet doganore evropiane.
Një tjetër objektiv është përfundimi i procedurave për anëtarësimin në Konventën për një Procedurë të Përbashkët Tranziti dhe në Konventën SAD. Sipas Doganave, ky proces synon integrimin gradual në sistemin e përbashkët të tranzitit dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave.
Për luftën kundër tregtisë së paligjshme të duhanit, ligji për aderimin në protokollin e OBSH-së u miratua më 27 janar 2026 dhe u publikua në Fletoren Zyrtare më 12 shkurt.
Në fund të majit u ngrit grupi ndërinstitucional për koordinimin e detyrimeve që burojnë nga protokolli. Është përgatitur gjithashtu një draft fillestar i Udhërrëfyesit Kombëtar të Zbatimit, ku identifikohen boshllëqet ligjore, administrative, teknike dhe infrastrukturore, si dhe masat për adresimin e tyre.
Megjithatë, Doganat sqarojnë se për integrimin gradual të Shqipërisë në Tregun e Përbashkët Evropian nuk është përcaktuar ende një kuadër i posaçëm formal. Sipas institucionit, përafrimi në kuadër të Kapitullit 29 krijon bazën për një integrim më të thelluar.
Mbyllja provizore në fillim të vitit 2027 mbetet objektiv i administratës doganore dhe lidhet me përmbushjen e piketave të kërkuara.


