Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po zhvillohen në Serbi.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se pjesëmarrja në votime është një mundësi për të forcuar përfaqësimin dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Çdo votë ka rëndësi. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shkroi ministri.
Në këto zgjedhje, partitë shqiptare garojnë së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”, duke synuar përfaqësimin në Kuvendin e Serbisë.
Hoxha i ftoi qytetarët ta ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë masivisht në votime.
“Dilni dhe votoni. Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj”, përfundoi ai.


