Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka siguruar qytetarët se depozitat e tyre bankare mbeten të sigurta, pavarësisht tensioneve dhe incidenteve ndaj bankomateve gjatë protestave.
Në takimin me kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e sistemit bankar, Sejko deklaroi se bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë likuiditet të mjaftueshëm për vijimin e aktivitetit.
“Pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar dhe financiar, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë një likuiditet shumë të mirë”, u shpreh ai.
Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë ka mbajtur në funksion të gjitha sistemet operacionale, me vëmendje të veçantë ndaj pagesave dhe qarkullimit të parasë fizike.
Sipas tij, edhe funksionet e tjera të institucionit kanë vijuar normalisht, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve financiare për qytetarët dhe bizneset.
Sejko theksoi se dëmtimi i infrastrukturës bankare prek drejtpërdrejt ekonominë dhe jetën e përditshme, pasi përmes këtij sistemi kryhen pagesat dhe mbështetet aktiviteti i sipërmarrjeve.
“Cenimi i sistemit bankar dhe i sistemit financiar i dëmton drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët”, deklaroi guvernatori, duke kërkuar që veprimtaria e sektorit të vijojë pa ndërprerje.


