Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë masash ndaj personave të përfshirë në dhunë gjatë protestave, që përfshin identifikimin përmes teknologjisë, përgjegjësi financiare dhe kufizime në shërbime e udhëtime.
Gjatë takimit me drejtuesit e sistemit bankar, Rama tha se qeveria do të investojë për identifikimin e personave të maskuar dhe të administratorëve të profileve online që nxisin dhunën.
“Ne do të fillojmë deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë. Duke investuar në teknologji, ne do të zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të mbulojnë të gjithë fytyrën”, deklaroi ai.
Kryeministri u bëri thirrje personave të përfshirë në veprime të dhunshme të tërhiqen, duke theksuar se masat e paralajmëruara do të ndiqen me veprime konkrete.
Rama tha gjithashtu se familjet e të miturve që shkaktojnë dëme do të përballen me faturën financiare. Ai paralajmëroi edhe ndërprerjen e shërbimeve shtetërore për këto familje.
“Do t’ju vijë fatura në familje, do të paguajë familja. Nuk do të marrë më asnjë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronën e tjetrit”, u shpreh ai.
Një tjetër masë e paralajmëruar është krijimi i një regjistri të posaçëm për personat e përfshirë në dhunë, të cilëve, sipas Ramës, do t’u kufizohet aksesi në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.
Kreu i qeverisë deklaroi se ka nisur bashkëpunimi me vende të Bashkimit Europian për të kërkuar edhe kufizimin e hyrjes së këtyre personave në territorin e tyre.
Në deklaratën e cituar nuk u përcaktuan baza ligjore, kriteret e përfshirjes në regjistër apo procedurat për zbatimin dhe kundërshtimin e masave. Paketa pritet të prezantohet nga qeveria.


