Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj kritikave për ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestave në Tiranë, duke pretenduar se persona të infiltruar mes studentëve kanë marrë udhëzime për të sulmuar efektivët me thika.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka publikuar mesazhe nga një grup në WhatsApp, ku, sipas tij, u janë dhënë porosi pjesëmarrësve të marrin armë të ftohta dhe të sulmojnë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Kreu i grupit parlamentar socialist ngriti pikëpyetje mbi kritikat ndaj veprimeve të policisë, duke pretenduar se mes protestuesve ndodhen edhe persona me qëllime të dhunshme.
“Çdo ndërhyrje e Policisë po shikohet me lupë dhe po i bëhet gjyqi menjëherë! Po si duhet të sillet Policia me elementët kriminalë të maskuar si studentë?”, shkruan Balla.
Ai iu referua gjithashtu një grupi në WhatsApp, për të cilin tha se ishte bërë publik nga një studente një mbrëmje më parë.
“Tek grupi i WhatsApp që tregoi ajo studentja mbrëmë kanë marrë porosi të marrin thika dhe të qëllojnë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit”, deklaroi deputeti socialist.
Reagimi i Ballës vjen në një kohë kur ndërhyrjet e policisë gjatë protestave janë bërë objekt kritikash dhe diskutimesh publike.
Pretendimet e tij lidhur me përmbajtjen dhe autorët e mesazheve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.



