Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka përgënjeshtruar raportimet që po qarkullojnë lidhur me shtimin e fluturimeve nga Tel Avivi drejt Tiranës, duke sqaruar se nuk ka asnjë ndryshim të planifikuar në këtë linjë ajrore.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, MIA i cilësoi të pavërteta informacionet për fluturime shtesë mes Izraelit dhe Shqipërisë.
“Informacioni që po qarkullon për fluturime shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës është i pavërtetë”, thuhet në njoftimin e agjencisë.
Sipas MIA-s, fluturimet në këtë linjë po zhvillohen normalisht, në përputhje me oraret e përcaktuara për sezonin dimëror.
“Nuk është planifikuar asnjë fluturim shtesë në linjën Tel Aviv–Tiranë. Operimet ajrore vijojnë normalisht, sipas skedulit dimëror të përcaktuar”, sqaron agjencia.
Në përfundim, MIA u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve të paverifikuara dhe të mbështeten te njoftimet zyrtare për çdo ndryshim të mundshëm në fluturimet ajrore.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e informacioneve të pasakta dhe të informohen nga burimet zyrtare për çdo përditësim”, theksohet në reagim.


