Ish-lideri i Partisë Laburiste britanike, Neil Kinnock, beson se Andy Burnham synon ta rikthejë Mbretërinë e Bashkuar në Bashkimin Europian, duke përmbysur një nga vendimet më të rëndësishme politike të vendit, Brexit-in.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Kinnock deklaroi se Burnham është një proeuropian i bindur dhe se objektivi i tij afatgjatë është rivendosja e anëtarësimit të Britanisë në BE.
Deklarata vjen pasi Burnham, gjatë një seance me deputetët, u pyet nëse rishikimi i marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit mund të hapte rrugën për një rikthim të plotë në Union.
Ndryshe nga qëndrimi i kujdesshëm i Burnham, Kinnock, i konsideruar një nga mentorët e tij politikë, u shpreh hapur për synimet që beson se ka politikani laburist.
“Andy ka shprehur vendosmërinë e tij për të ndryshuar marrëdhëniet dhe është e qartë se qëllimi i tij është ribashkimi”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Burnham mund të jetë politikani që do ta rikthejë Britaninë në BE, Kinnock u përgjigj pozitivisht.
“Po, sigurisht. Angazhimi i tij është autentik. Ai e kupton plotësisht pse rivendosja e asaj që unë e konsideroj normalitet në kontinentin tonë është jetike ekonomikisht, politikisht, kulturalisht dhe për sigurinë”, u shpreh ish-lideri laburist.
Kinnock hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Burnham kishte ndryshuar qëndrim për çështjen europiane gjatë fushatës zgjedhore në Makerfield.
Sipas tij, politikani laburist kishte zgjedhur të mos e vendoste Brexit-in në qendër të fushatës, pasi zgjedhjet kishin një tjetër objektiv politik.
“Andy nuk ka ndryshuar drejtim. Ai ka qenë gjithmonë një proeuropian i përkushtuar. Ky është debati i së nesërmes”, theksoi Kinnock.
Deklaratat e ish-liderit laburist rikthejnë në vëmendje diskutimin për të ardhmen e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian, disa vite pas largimit të vendit nga Unioni.
Megjithatë, rikthimi në BE mbetet një synim që Kinnock ia atribuon Burnham dhe jo një angazhim zyrtar i shpallur prej këtij të fundit.


