Rama prezanton “Pasqyra Flamingo”, hap dosjen Sazan-Zvërnec: Në radhë KAYO dhe Milot-Balldreni

03 Oct 2026 • 15:21
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë “Pasqyra Flamingo”, një nga komponentët e platformës “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës qeveria synon të publikojë dokumentet zyrtare të dosjeve që kanë interes të lartë publik. Dosja e parë e publikuar lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec.

Sipas Ramës, platforma synon t’u japë qytetarëve akses të drejtpërdrejtë në dokumentet qeveritare, referencat ligjore dhe informacionet që lidhen me projektet e përzgjedhura, pa u kufizuar te deklaratat publike të qeverisë.

“Nuk kishte sesi të mos niste me dosjen më të përfolur, atë të Sazan-Zvërnecit”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se në platformë do të vendosen në vijim dosje të tjera me interes të posaçëm publik.

Reklamë Ola

Rama njoftoi se një prej dosjeve të radhës do të jetë ajo e kompanisë shtetërore KAYO, ndërsa përmendi edhe projektin Milot-Balldren. Sipas tij, qëllimi është që debati publik rreth këtyre çështjeve të mund të krahasohet me dokumentacionin zyrtar të administratës.

Dosja Sazan-Zvërnec nuk konsiderohet ende e përfunduar. Kryeministri tha se ajo do të përditësohet me dokumente të reja, përfshirë projektin urbanistik dhe studimin e ndikimit në mjedis. Platforma do të tregojë gjithashtu nëse një dosje është ende “e hapur” apo është përfunduar.

Reklamë InterMedika

Një tjetër element do të jetë seksioni i pyetjeve dhe përgjigjeve zyrtare. Rama tha se pyetjet gjenerohen nga hulumtimi me inteligjencë artificiale i temave dhe shqetësimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në mediat tradicionale.

“Pasqyrë Albania” parashikohet të shkojë përtej publikimit të dosjeve. Sipas kryeministrit, qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale edhe ecurinë e projekteve publike të financuara nga taksat dhe të kërkojnë informacion për investimet dhe punët publike në zonat ku jetojnë.

Rama tha se në zhvillimin e sistemit janë përfshirë edhe juristë, pasi qeveria synon ta integrojë “Pasqyrë Albania” në kuadrin ligjor të bashkëqeverisjes. Ai paralajmëroi gjithashtu prezantimin në ditët e ardhshme të një moduli të ri të “Diellës”, të realizuar nga AKSHI.

Kryeministri e lidhi krijimin e platformës edhe me protestat e nisura në qershor, të cilat më herët i kishte përshkruar si një “pasqyrë” që shoqëria i kishte vendosur përpara qeverisë. Rama tha se synimi është që sistemi i plotë i “Pasqyrë Albania” të konsolidohet brenda një viti.