PDK kërkon kufizimin e mandatit të Speciales, dënimi maksimal 15 vjet dhe falje nga Presidenti

03 Oct 2026 • 13:19
Shpërndaje:

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin në Kuvend të nismës së Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vendimi u mor më 2 tetor në një mbledhje elektronike dhe i është përcjellë Kuvendit.

Projektligji propozon ndryshime të rëndësishme në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, dënimet që ato mund të shqiptojnë dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre. Nisma nuk parashikon mbylljen e Speciales, por synon kufizimin e mandatit të saj.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me juridiksionin. Sipas draftit, veprimtaria e Dhomave të Specializuara do të kufizohej në pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i njohur si raporti i Dick Martyt.

Reklamë Ola

Projektligji parashikon që rastet që, sipas kritereve të reja, nuk do të konsideroheshin më brenda juridiksionit të Speciales, të transferoheshin te gjykatat e rregullta të Kosovës. Bashkë me to parashikohet transferimi i materialeve, provave dhe mekanizmave për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kufizimi i dënimit maksimal. Sipas propozimit të PDK-së, Dhomat e Specializuara nuk do të mund të shqiptonin dënime më të larta se 15 vjet burgim, duke iu referuar parimit të zbatimit të ligjit më të favorshëm.

Reklamë InterMedika

Nisma kërkon gjithashtu që dënimet e dhëna nga Specialja të vuhet në institucionet korrektuese të Kosovës. Aktualisht, kuadri i Dhomave të Specializuara parashikon ekzekutimin e dënimeve të formës së prerë jashtë Kosovës, në shtete që kanë marrëveshje përkatëse me gjykatën.

Ndryshimet e propozuara do t’i jepnin gjithashtu Presidentit të Kosovës mundësinë për falje individuale të personave të dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara, sipas kritereve dhe procedurave të legjislacionit kosovar për faljen.

Projektligji prek edhe transferimin e personave të privuar nga liria. Në rast se një procedurë do të përfundonte për mungesë juridiksioni të Speciales, drafti parashikon transferimin e personit në Kosovë dhe paraqitjen e tij para gjyqtarit kompetent brenda 48 orëve nga marrja në kujdestari nga autoritetet vendore.

Ndryshime të tjera propozohen për mbrojtjen e dëshmitarëve, ruajtjen e arkivave dhe bashkëpunimin mes gjykatave. Kuvendit të Kosovës do t’i jepej gjithashtu mundësia të angazhonte organizata ndërkombëtare për monitorimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Vendimi i Qeverisë nuk nënkupton se këto ndryshime kanë hyrë në fuqi. Ai konstaton se nisma mund të procedohet në Kuvend, ku duhet të kalojë fazat e shqyrtimit dhe votimit. PDK-ja ka kërkuar që projektligji të trajtohet me urgjencë dhe të votohet në të dyja leximet.