×
Sunday, October 19, 2025

Zelensky: Trump të tregohet më i ashpër me Putinin, i gatshëm t’i bashkohem samitit në Budapest

October 19, 2025


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump të tregohet më i ashpër me Vladimir Putinin, duke thënë se ai ishte i gatshëm t’i bashkohej samitit të tyre të ardhshëm, në Budapest dhe se mbetej optimist – pavarësisht se nuk arriti të siguronte nga SHBA-ja armët që po kërkonte, sipas “CNBC News”.

Udhëheqësi ukrainas i tha moderatores së emisionit “Meet the Press” të NBC News, Kristen Welker, në një intervistë ekskluzive – se Trump duhej të ushtronte më shumë presion mbi Putinin sesa kishte ushtruar ndaj Hamasit – gjatë suksesit të tij të fundit në sigurimin e një armëpushimi në Gaza.

“Putini është disi i ngjashëm, por më i fortë se Hamasi”, tha Zelensky.

“Lufta është më e madhe dhe ushtria e Rusisë është ushtria e dytë më e madhe në botë dhe kjo është arsyeja pse nevojitet më shumë presion”, shtoi ai.

Zelensky ka shpresuar se një pjesë e këtij presioni do të ishte dërgimi i raketave “Tomahawk” me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja – që mund të përdoren për të goditur Rusinë në brendësi të territorit.

Trump ka folur publikisht për mundësinë e furnizimit të raketave “Tomahawk” për Ukrainën, por presidenti amerikan i kufizoi pritshmëritë për një marrëveshje me Kievin – kur u takua me Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të premten, një ditë pas telefonatës me Putinin.

Zelensky tha se ishte “mirë që Presidenti Trump nuk tha ‘jo’, por për sot, nuk tha ‘po’”.

Putini ka paralajmëruar se furnizimi i Ukrainës me raketa “Tomahawk” do të përbënte një “fazë të re të përshkallëzimit”.

Zelensky tha se Putini kishte frikë se SHBA-ja do të na dorëzonte raketat “Tomahawk”.

“Dhe mendoj se ai ka shumë frikë se ne do t’i përdorim ato”, tha presidenti ukrainas.

Pas telefonatës së tij me Putinin, presidenti Trump njoftoi se do të takohej me presidentin rus në Budapest, Hungari, për një raund të dytë bisedimesh ballë për ballë – që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.

Zelensky e quajti Putinin një “terrorist” gjatë intervistës së tij me NBC News, por përsëriti gatishmërinë e tij për t’u takuar ballë për ballë me presidentin rus.

“Nëse duam vërtet të kemi paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, nevojiten të dyja palët e kësaj tragjedie. Si mund të ketë disa marrëveshje pa ne për veten tonë?”, tha Zelensky. 




Comments are closed.