Vjeshta “pikturon” me ngjyra magjike Malësinë e Kelmendit


Vjeshta ka pikturuar me koloritin e saj Malësinë e Kelmendit, e kthyer tashmë në një telajo ngjyrash të arta që të fton për ta vizituar.
E cilësuar si “Perla e Alpeve Juglindore” të Europës, Malësia e Kelmendit tërheq vizitorë të shumtë në çdo stinë, ndërsa tani ngjyrat e stinës janë një spektakël i papërsëritshëm i natyrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, ku vjeshta zbukuron me ngjyrat e saj magjike.

Vjeshta e Kelmendit është një simfoni ngjyrash mes të kuqes dhe të artës së lisave dhe gjelbërimit të luginës që ende nuk dorëzohet mes qetësisë së maleve.
Një peizazh që tërheq vizitorët e natyrës drejt një destinacioni unik për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm.
I përshtatshëm për turistët që duan të shijojnë natyrën, Malësia e Kelmendit tërheq po ashtu edhe turistët e aventurës, të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Malësia e Madhe, pjesë e të cilës është edhe Kelmendi, ofron pamje të rralla në çdo stinë të vitit. Investimet në infrastrukturë kombinuar me investime në përmirësimin e peizazhit urban i kanë bërë disa prej njësive administrative, lehtësisht të arritshme, duke i dhënë vlerë peizazhit natyror.
Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme i shoqërojnë turistët në udhëtimin e tyre në Malësinë e Kelmendit.
Kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingje me çadra, si dhe struktura për shërbime gastronomike, të cilat janë miqësore me natyrën.

