“The Sun”: Starmer: Shqipëria është fyer padrejtësisht, në vend që të vlerësohej bashkëpunimi me të


Kryeministri britanik, Keir Starmer u zotua se do të mbyllë “autostradën kriminale” përmes Ballkanit Perëndimor, sipas “The Sun”.
Keir tha se trafikantët kishin ndërtuar një perandori kriminale që shtrihej në të gjithë Evropën, të cilën Britania e Madhe duhej ta mbyllte.
Kryeministri britanik Keir Starmer do të presë sot në Londër, udhëheqës nga rajoni për të diskutuar mënyrat për të shkatërruar bandat e kontrabandave që qëndrojnë pas rritjes së kalimeve të emigrantëve në Kanalin e La Manshit.

Konferenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor do te mbahet në kontekstin e “Procesit të Berlinit”, të iniciuar nën drejtimin e ish-kancelares Angela Merkel në vitin 2014.
Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot me zyrtarë britanikë dhe evropianë në Londër për të biseduar mbi migracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike në një rajon të paqëndrueshëm ku Rusia kërkon të ushtrojë ndikim.
Qeveria britanike shpreson të arrijë një marrëveshje për qendrat e kthimit në samit.
Por, një burim qeveritar tha se ministrat, së pari duhej të ulnin kriminalitetin dhe të stabilizonin sigurinë kufitare në rajon.
“Ekziston një autostradë kriminale që kalon nëpër Ballkanin Perëndimor, duke i çuar emigrantët e paligjshëm direkt në Britaninë e Madhe”, tha Starmer.
“Detyra jonë është ta mbyllim dhe të shkatërrojmë bandat që e drejtojnë atë”, tha Starmer.
Në një kritikë ndaj Nigel Farage, kryeministri Starmer tha se disa vende si Shqipëria ishin fyer padrejtësisht, në vend që të vlerësohej bashkëpunimi me to.
Kjo ishte një referencë ndaj grindjes së udhëheqësit të “Reform UK” Farange, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Britania e Madhe po vendos dronë në pikat e kontrollit në të gjithë Ballkanin – për të ndaluar kontrabandistët të hyjnë në vend”, tha kryeministri Starmer.
Rreth një e katërta e mbërritjeve të azilkërkuesve me varka të vogla nëpër Kanalin e La Manshit kalojnë nëpër Ballkanin Perëndimor.
Rreth 22,000 njerëz u trafikuan vitin e kaluar përgjatë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Krahas emigracionit të paligjshëm, Britania e Madhe synon të nisë një bashkëpunim të ri për të luftuar grupet e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor të përfshira në tregtinë lëndëve narkotike.

